Rama rrit financimin për mikun e tij që i ka dhënë konçesionin e Rrugës së Arbrit në 460 milionë euro

82

Qeveria, në harkun kohor të një viti e gjysmë, nga momenti kur firmosi kontratën për ndërtimin e Rrugës së Arbrit ka rritur me 45% financimin, duke e çuar koston totale në 58 miliardë lekë (460 mln euro) nga 40 mld lekë (33,6 mld vlera e kontratës plus 6.5 miliardë lekë TVSH) të parashikuara në kontratën ligjore.

Vitin e kaluar, qeveria e kontraktoi ndërtimin e Rrugës së Arbrit nëpërmjet formës koncesionare me Partneritet Publik-Privat me kompaninë “Gjoka Konstruksion”. Sipas kontratës, që u miratua në mbledhjen e datës 28 mars 2018 të Këshillit të Ministrave, vlera e financimit të rrugës është 33.6 miliardë lekë, me të cilat do të financoheshin gjithsej 41 kilometra rrugë të kategorisë C , nga të cilat 26 do të bëheshin nga e para dhe 15 të tjera pjesërisht.

Në fillim të vitit 2018, në kuadër të projeksioneve në buxhetin afatmesëm, qeveria raportoi një tabelë shoqëruese të financimit të koncesioneve ndër vite, ku raportoi se financimet totale për Rrugën e Arbrit do të ishin 40 miliardë lekë. Burimet nga Ministria e Financave pohuan në atë kohë se kjo vlerë shtesë nga kontrata përfaqësonte TVSH, e cila nuk ishte raportuar në kontratën fillestare.

Këtë vit, gjithçka ka ndryshuar kryekëput, pasi Ministria e Financave ka riprogramuar financimin e Rrugës së Arbrit me 58 miliardë lekë. Burimet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës pohuan se kjo shumë do të shkojë si kompensim për një shembje të madhe që ka ndodhur në rrugë vitin e kaluar, në tentativë për hapjen e një tuneli.

Shembja ka ndodhur në afërsi të tunelit të Murrizit. Inxhinierë të fushës që janë njohur me shembjen, i pohuan “Monitor” se ajo ka ndodhur si pasojë e një gabimi inxhinierik, ku një pjesë e tunelit është tentuar të shmanget, duke hapur trasenë e duke çarë malin në formë kove.

Mirëpo vendimi i ka kushtuar kompanisë, pasi thellësia e madhe skarpateve ka krijuar shembjen, e cila gjithashtu kalon nëpërmjet një zgjidhje të vështirë inxhinierike dhe financiare.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në një inspektim në terren pohoi se “pas investigimeve me mjete, me specialistë, rezulton që rrëshqitja është mbi 60 metër”. Dhe kjo pastaj na detyroi që ta ndalonim në hyrje, për të mos lënë ritmet këtej nga dalja.

“Jemi në përfundim të investigimeve dhe besoj shumë shpejt, punë ditësh do t’i dalim Ministrisë me propozimin e një apo dy varianteve, të cilat do të vlerësohen sesi mund të zgjidhen”, bëri të ditur përfaqësuesi i kompanisë “Gjoka Konstruksion”

Rruga e Arbrit, me gjatësi mbi 70 kilometër, e cila lidh Tiranën me Maqedoninë, nëpërmjet Dibrës, nisi si ide në vitin 2008. Projekti i propozuar ishte një rrugë e tipit C, me gjerësi 7 metra, kostoja totale e të cilit fillimisht u llogarit 150 milionë euro, për shkak të punimeve të vështira në një terren malor me shumë tunele.

Për shkak se të gjitha studimet e nxorën rrugën jo fizibël, qeveria nisi ndërtimin e saj me fondet e veta, mirëpo kriza e vitit 2008 dhe shpenzimet e larta për Rrugën e Kombit kufizuan mundësitë për të ndërtuar Rrugën e Arbrit, edhe pse disa segmente të saj rreth 20 kilometra, kanë përfunduar, ndërsa pjesa më e vështirë me tunelet brenda mbeti e papërfunduar.

I konsideruar si një projekt populist, Rruga e Arbrit u përfshi në paketën 1 miliard euro, me financim 250 milionë euro për rreth 50 kilometër. Vetëm një vit pasi është firmosur kontrata kostoja e rrugës është dyfishuar duke arritur në 460 mln euro.