Ndërroi jetë në spital/ Fjalët e fundit të shoferit të prokurorit Ndoja

911

Pas publikimit të një videoje ku duket nëna e tij teksa vajton se i biri humbi jetën për një rrogë prej 300 mijë lekësh të vjetra, publiku përjetoi mallëngjim dhe dhembje. Por kur ishte menduar se shëndeti i tij po përmirësohej, Andi Maloku ndërroi jetë.

Mbrëmjen e së mërkurës, ai kishte dalë nga reanimacioni dhe ishte shtruar në pavijon. Miqtë dhe familjarët e tij po diskutonin me mjekët se sa mundësi kishte që të ecte sërish, pasi një plumb i kishte prekur shtyllën kurrizore.

Ndërsa dje gjendja e Andi Malokut është përkeqësuar. Burime nga Spitali i Traumës thanë se 24-vjeçari ka shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe menjëherë është dërguar në reanimacion, ku është mbajtur për dy orë në terapi intensive, shkruan Panorama.

Mjekët dyshuan për një tromboemboli. Plumbat i kishin dëmtuar të dyja anët e mushkërive dhe dyshohet se për këtë arsye kanë nisur edhe komplikacionet pasditen e djeshme.

“Nuk i ndjej më këmbët, ç’më bënë maskarenjtë!”, këto kanë qenë fjalët e fundit në spital të 24-vjeçarit, teksa po e dërgonin për të kryer një skaner.