Moldavi: Fundi i kursit të reformave

45

Republika e Moldavisë shtrihet mes Rumanisë dhe Ukrainës. Ajo ka ngritur institucione juridike moderne, por Moldavia është një shtet në agoni. Ky vend llogaritet ndër më të varfërit në Evropë, me një shkallë të lartë të korrupsionit dhe kriminalitetit.

Njerëzit nuk shohin ndonjë perspektivë të mirë socio-ekonomike. Të paktën një e treta e 3,5 milionë shtetasve të Moldavisë ka ikur jashtë vendit. Një vend pra i cili ka nevojë emergjente për reforma.

Në qershor të këtij viti është zgjedhur për herë të parë prej pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991 një pushtet, i cili nuk varej nga oligarkët, në krye me kryeministren proevropiane Maia Sandu, e cila filloi reforma të vërteta.

Pushteti dhe hija
Por eksperimenti zgjati vetëm pesë muaj. Të martën e kësaj jave (12.11.) u rrëzua qeveria Sandu. Partnerët në pushtet, socialistët, u tërhoqen nga pushteti, zyrtarisht për shkak të mosmarrëveshjeve për postin e prokurorit të përgjithshëm.

Sandu dëshironte që këtë post ta ushtrojë një person i pavarur, që donte të luftonte kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por persona nga hija e pushtetit të vjetër minuan këtë zgjedhje dhe rrëzuan qeverinë. Ata manipuluan proceset.

Qeveria Sandu ka ngritur që në fillim një “koalicion jo të natyrshëm”. Sandu përfaqëson aleancën kundër korrupsionit ACUM, që synon anëtarësimin në BE. Socialistët kanë origjinë nga forcat e dikurshme postsovjetike dhe janë pjesë e kleptokracisë në vend, me raporte të ngusha me Rusinë.

E përbashkëta e tyre ishte armiqësia me oligarkun Vlad Plahotniuc, i cili në të kaluarën ka krijuar një regjim kriminal dhe është bashkëpërgjegjës për “plaçkitjen në vlerë prej miliardash” të cilat janë zhdukur nga bankat e Moldavisë. Plahotniuc dhe disa bashkëpunëtorë të tij kërkohen me fletarrest ndërkombëtar.

Diletantët në pushtet
Me kohë ishte e qartë se socialistët do të lejojnë vetëm disa reforma. Ata i frikësoheshin organeve të pavarura juridike. Ndërsa Sandu dhe ACUM ishin të vendosur për të luftuar dukuritë negative. Një e vërtetë e hidhur është edhe fakti që aleanca ACUM ëshë e përçarë. Ndaj as kjo aleancë nuk funksionon si duhet.

Personi i vetëm i fuqishëm në vend është presidenti Igor Dodon, tani jo partiak, por ai ende ka fjalën kryesore në Partinë Socialiste, të cilën e ka drejtaur dikur edhe zyrtarisht. Ai thotë se angazhohet për reforma, por presidenti konsiderohet si pengesa kryesore në këtë rrugë.

Pas largimit të Sandu nga pushteti, ai ka nominuar për kryeministër një këshilltar të tij, ekspertin e financave Ion Chicu. Akoma pa kaluar 24 orë, ai u zgjodh në Parlament për kryeministër të ri – me votat e “Partisë Demokratike” të Plahotniuc-it. Mendohet se kjo qeveri do të mbetet në pushtet deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Lojërat politike
Befasuese është shpejtësia e madhe me të cilën u zgjodh qeveria e re, që dëshmon se Dodoni me Partinë Demokratike kaherë kanë planifikuar rrëzimin e qeverisë Sandu.

Edhe përzgjedhja është interesante, sepse kryeministri i ri Chicu ka qenë ministër i Financave në kabinetin e Plahotniuc. Shumë vëzhgues mendojnë se Moldavia sërish do të distancohet nga BE dhe do të afrohet me Rusinë. Por mbetet të shihet si do të zhvillohen gjërat knkretisht.

Ky është një lajm shqetësues për Evropën. Lojërat politike në Moldavi shikohen me sy kritik. Në lindje të vendit, në Transnistri, po zhvillohet plot tri dekada një konflikt. Atje janë stacionuar forcat e armatosura ruse. Zyrtarisht në pushtet janë komunistët ortodoksë, por në fakt sundojnë të gjitha llojet e kriminalitetit.

BE ka kërkuar prej vitesh fillimin e reformave, por pa sukses. Qeveria Maia Sandu i shpjegoi të gjitha me fjalë të thjeshta: “Hajdutët në Parlament kanë frikë nga reformat tona.”