“Larg duart nga Kosova”, parullat e tjera që u hapën brenda dhe jashtë “Air Albania Stadium”

Inaugurimi i “Air Albania Stadium”, përveç ceremonisë zyrtare, pati edhe një organizim jashtë agjendës zyrtare që drejtohej nga grupe të ndryshme tifozësh.

Në shkallët e stadiumit, por edhe jashtë tij, pati disa parulla, kryesisht politike.
“Larg duart nga Kosova”, ishte një mesazh që u shpalos në “Air Albania Stadium” në gjuhën angleze.

Nuk munguan as veprimet politike, ku pas thirrjeve “Rama Ik”, një banderolë ku shkruhej e njëjta frazë u shpalos nga disa persona.

Edhe tifo-grupi më i madh shqiptar, Tifozat Kuq e Zi, kishin vendosur të jepnin mesazhet e tyre nëpërmjet koreografisë që kishin përgatitur. Në banderolën gjigante ata nuk e kishin ndryshuar emrin e stadiumit në “Air Albania”, por mbanin “Qemal Stafën”.

“Drejtësi për Astrit Deharin”, ishte një tjetër thirrje dhe që jepte mesazh për zbardhjen e vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Jashtë ambienteve të stadiumit, një tjetër banderolë me mesazh të fortë u hap nga një grup të rinjsh.

Stadiumi kombëtar “Naim Idrizi”, shkruhej në banderolë dhe poshtë emrit thuhej: “i rënë në punë për ndërtimin e stadiumit”.