Lampardi zgjidhet trajneri i muajit në Premierligë

32

Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, është emëruar trajneri më i mirë në Premierligë për muajin tetor, pasi arriti ta drejtojë skuadrën e tij në fitore kundër Southamptonit, Newcastleit dhe Burnleyt.

“The Blues” janë rishfaqur si një ndër klubet më në formë të futbollit anglez gjatë javëve të fundit, pasi e kanë lënë nisjen e ngadaltë të sezonit të ri në të kaluarën e tyre.

Djemtë e Lampardit tani janë në pozitën e katërt në tabelën e Premierligës pas 11 ndeshjeve dhe janë në epërsi prej gjashtë pikësh ndaj rivalit Arsenalit që radhitet në pozitën e pestë, në garën për të zënë vend kualifikues për sezonin vijues të Ligës së Kampionëve.

Chelsea i ka fituar tetë nga dhjetë ndeshjet e tyre të fundit në të gjitha garat, përderisa ecuria e përsosur në ligë në ndeshjet e tetorit ka qenë kyçe në ngritjen e skuadrës.

Skuadra e Stamford Bridge e nisi muajin me fitore mbresëlënëse me rezultat 4:1 në Southampton, para se të siguronte fitore 1:0 në shtëpi kundër Newcastle, para se të fillonte pushimi i ndeshjeve të ekipeve kombëtare.

Një udhëtim në Burnley më 26 tetor shihej si i rrezikshëm për “Të kaltrit” e Lampardit, mirëpo het-triku mbresëlënës i Christian Pulisic ia mundësoi Chelseat të sigurojë fitore me rezultat 4:1 në Turf Moor.

Lampardi tani është shpërblyer për katër javët e përsosura në kuadër të Premierligës me çmimin e trajnerit më të mirë të muajit, para një përballjeje të rëndësishme me Crystal Palace këtë fundjavë.

Trajneri 41-vjeçar u radhit mbi Jurgen Kloppit, që ishte trajneri i muajit në gusht dhe shtator, si dhe kanditatëve të tjerë: Graham Potter, Brendan Rodgers dhe Dean Smith.