Kush janë 10 kompanitë me fitimet më të mëdha

62

1.KESH

Operatori shtetëror i prodhimit të energjisë elektrike, “Korporata Elektroenergjetike Shqiptare” (KESH) renditet në vend të parë, si kompania që ka realizuar më shumë fitime për vitin 2018.

KESH raportoi një fitim para taksave prej 10 miliardë lekësh, me një rritje të ndjeshme prej gati 20 herësh në raport me vitin e mëparshëm. Rritja e të ardhurave nga shitja e energjisë dhe ulja e shpenzimeve për blerje energjie, për shkak të motit të favorshëm, kanë dhënë ndikimin kryesor në këtë performancë pozitive. Norma e fitimit të operatorit ishte 55% (fitimi para taksave/totali i të ardhurave).

“Aktiviteti i shoqërisë KESH sh.a., për vitin 2018, u karakterizua nga zhvillime pozitive në pjesën më të madhe të vitit, nga ku si rezultat i kushteve të favorshme klimatike, në pjesën e parë të vitit, u arrit që në fund të 2018, të prodhoheshin 5,851 GWh, ndryshe 68.4% e prodhimit vendas, apo rreth 76% e konsumit.

Të ardhurat totale të realizuara nga shoqëria rezultuan në vlerën 16.35 miliardë lekë, nga ku 5.77 miliardë lekë janë siguruar nga shitja e 3,840 GWh energji për klientët tariforë, 9.49 miliardë lekë nga shitja e 2,200 GWh energji në tregun e parregulluar dhe diferenca, nga ofrimi i shërbimeve të balancimit dhe transaksionet energjetike për qëllime të optimizimit ekonomik. Fitimi neto i vitit 2018 ka rezultuar në 7.624 miliardë lekë”, pohoi administratori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), z. Benet Beci.

Por ai shton se situata ka ndryshuar në pjesën e parë të vitit 2019, për shkak të thatësirës së tejzgjatur. “Në afat pak më të gjatë, ecuria e reformave të liberalizimit të tregut të energjisë dhe diversifikimi i aseteve të prodhimit duhet të jenë prioritet absolut, në mënyrë që vendi të mos jetë kaq i varur nga kushtet meteorologjike që po bëhen, vit pas viti, gjithnjë e më të paparashikueshme”, thotë z. Beci.

Një vit më parë, KESH renditej në vend të 32 në renditjen e “Monitor” sipas fitimit të realizuar dhe aktiviteti i saj është shumë i ndjeshëm ndaj prodhimit të energjisë hidrike që, në vetvete, është totalisht e lidhur me prurjet e shiut në vend.

2.BKT

Në vend të dytë është “Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), e cila vitin e kaluar ishte e para në renditjen e “Monitor 200 sipas fitimeve”. Fitimi para taksave i bankës më të madhe në vend ishte 8.7 miliardë lekë (pothuajse sa vitin e mëparshëm), me një normë prej rreth 19%.

“E mbyllëm vitin 2018 me një fitim rekord, ndërsa treguesit tanë financiarë vazhduan të përmirësohen”, pohon z. Seyhan Pencabligil, CEO & Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).

3.Raiffeisen Bank

“Raiffesien Bank”, e dyta më e madhja në vend sipas aktiveve, renditet e treta në listën e “Monitor 200 sipas fitimeve”, nga e dyta që ishte vitin e mëparshëm. Fitimi para taksave ishte gati 4 miliardë lekë, me një tkurrje prej 18% në raport me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ishte gati 36%. “Për ‘Raiffeisen Bank’, 2018 ishte një vit i shkëlqyer, patëm një prirje pozitive në kreditë për biznes dhe individë”, pohoi z. Christian Canacaris, CEO i “Raiffeisen Bank Albania”.

4.Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike” (OSHEE) raportoi fitime prej 3.2 miliardë lekësh, me një rënie prej rreth 10% në krahasim me vitin e mëparshëm, e ndikuar kryesisht nga tkurrja e lehtë e të ardhurave. “Viti 2018, për OSHEE, konsiderohet normal sa i përket aktivitetit të saj, ku shoqëria ka vijuar progresin në treguesit kryesorë, siç janë reduktimi i Humbjeve dhe rritja e Arkëtimeve”, pohoi administratori i OSHEE-së, z. Adrian Çela. Por, ai paralajmëron se në vitin 2019, ashtu si në vitin 2017, kompania po përballet me të njëjtin presion si dhe KESH, për shkak të thatësirës së theksuar hidrike, që rezulton në një kosto të rritur të blerjes së energjisë në treg, duke rrezikuar të dalë me humbje. “Viti 2019, sipas parashikimeve të prodhimit të energjisë nga ana e KESH-it, pritet të jetë viti i parë që OSHEE-ja do të përballet me një rezultat me humbje. Shkak është rritja drastike e kostos së energjisë, e cila po blihet, në pjesën më të madhe, nga importi me çmime shumë të larta të tregut ndërkombëtar”, thotë Çela.

5.Tirana International Airport

“Tirana International Airport” (TIA), kompania që operon me koncesion aeroportin e vetëm në vend, atë të “Nënë Terezës”, është ngjitur në vendin e katërt në renditje, nga i pesti një vit më parë. Fitimi para taksave i kompanisë ishte 3.1 miliardë lekë, me një rritje prej 11% në raport me vitin e mëparshëm. Teksa shpenzimet janë zgjeruar me ritme më të ulëta se të ardhurat, norma e fitimit ka arritur në 49%, pothuajse gjysmën e të ardhurave, me rritje dy pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm.

Rritja e vazhdueshme e trafikut të pasagjerëve, si nga shtetasit shqiptarë ashtu dhe të huajt, që gjithnjë e më shumë po e vizitojnë vendin tonë, ka ndikuar në performancën pozitive të aeroportit. Gjatë vitit 2018, trafiku në Aeroportin e Rinasit shënoi nivel rekord prej 2.95 milionë pasagjerësh, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 12%.

Më se një vit më parë, Autoriteti i Aviacionit Civil kërkoi një kompani konsulence ndërkombëtare me qëllim auditimin e bilanceve të TIA-s, nga i cili më pas rezultoi se për periudhën 2004-2017, kompania kishte pasur fitime më të larta sesa plani i biznesit (150 milionë euro neto nga 66 milionë euro që ishte plani fillestar), ndonëse rezultatet nuk janë publikuar ende dhe aq më pak është marrë ndonjë veprim në vijim të këtij vëzhgimi të situatës.

6.Gjoka Konstruksion

Sipërmarrja në fushën e ndërtimit, “Gjoka Konstruksion”, është renditur për herë të parë në listën e më të mëdhenjve. Kompania ka raportuar fitime prej 2.2 miliardë lekësh, me një zgjerim të fortë prej 61%. Rritja e të ardhurave me ritme më të larta se ajo e shpenzimeve ka ndikuar në këtë performancë pozitive. Norma e fitimit para taksave arriti në 33%.

Gjoka Konstruksion renditet e katërta mes kompanive të ndërtimit, sipas të ardhurave në vitin 2018, pas “LIMAK INSAAT SANAYI”, “Alb-Star” e “Gener 2” dhe raportoi një qarkullim vjetor prej 6.7 miliardë lekësh. Në vitin 2018 u krijua dhe “Gjoka 87”, me aksioner “Gjoka Konstruksion”, e cila zbaton kontratën koncesionare/PPP “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”. “Gjoka 87” raportoi të ardhura prej 5.8 miliardë lekësh, por fitimi ishte minimal (vetëm 1.5 milionë lekë).

7.Vodafone Albania

Operatori më i madh i telefonisë celulare, “Vodafone”, është kthyer sërish në renditjen e 10 më të mëdhenjve. Fitimi i kompanisë para taksave ishte 1.7 miliardë lekë, në 2018, pas humbjeve prej 792 milionë lekësh vitin e kaluar, me një normë prej 10.5%.

Teksa të ardhurat u rritën lehtë me 7.4%, mbajtja nën kontroll e shpenzimeve dhe sidomos ulja e atyre administrative e të tjera, ndikuan në përmirësimin e performancës së kompanisë.

8.OST

“Operatori i Sistemit të Transmetimit” (OST) është sipërmarrja e dytë me kapital shtetëror, në listën e 10 më të mëdhenjve. Kompania raportoi rritje me 20% të fitimeve, në 1.5 miliardë lekë. Rritja e të ardhurave me ritme më të larta se e shpenzimeve ka ndikuar në përmirësimin e fitimeve të kompanisë.

9.Energji Ashta

“Energji Ashta”, operatori që ka ndërtuar me koncesion hidrocentralin në Ashtë, raportoi fitime të larta prej 1.5 miliardë lekësh, pas humbjes së vitit të kaluar, duke u renditur për herë të parë ndër 10 më të mëdhenjtë. “Energji Ashta”, me fuqi të instaluar prej 48.2 MW, ka rritur të ardhurat me 60%, në 2.3 miliardë lekë në vitin 2018, pas rënies së fortë vitin e mëparshëm. Dietmar Reiner, Drejtor Ekzekutiv i Energji Ashta, pohon se “prodhimi i energjisë për vitin 2018 ka qenë 298,106 GWh dhe për vitin 2019, deri tani është 122,138 GWh, çka fatkeqësisht është nën mesataren statistikore të prodhimit vjetor”. Ai shton se prodhimi varet nga prurjet hidrike të rajonit, nëse moti është me reshje, ose i thatë, prodhimi është ose i lartë, ose i ulët, në raport me planin e biznesit.

10.Spiecapag Transadriatica

“Spiecapag Transadriatica”, e krijuar në vitin 2016, renditet për të dytin vit radhazi ndër 10 më të mëdhenjtë. Kompania franceze, që kryen punime për gazsjellësin TAP dhe ka ekspertizë në ndërtimin e tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, raportoi një fitim prej gati 1.48 miliardë lekësh, me një normë prej 9.6%. Së bashku me subjektin tjetër “Spiecapag Shqipëria”, ato ishin në renditjen e 10 më të mëdhave “Monitor 200”, edhe sipas qarkullimit vjetor.

Projekti i TAP, investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë prej 1.5 miliardë eurosh, është tashmë drejt fundit. Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, ka pohuar se në terma afatshkurtër, parashikimet e një sërë institucionesh financiare për rritjen ekonomike në Shqipëri për vitet 2017 dhe 2018, vlerësuan se rritja vjetore e ekonomisë shqiptare ishte pjesërisht rrjedhojë e pranisë së TAP.

“Në vitin 2019, volumi i punimeve të ndërtimit ishte më i vogël krahasuar me dy vitet e mëparshme, si pasojë e përfundimit gradual të punimeve të ndërtimit, kështu që ndikimi në ekonominë shqiptare pritet të jetë më i ulët”, shton ai.

“Bessac”, po franceze, është një tjetër nënkontraktor i TAP në listën e më të mëdhenjve, duke u renditur në vend të 16, me 1 miliard lekë fitime. Ai ka ndërtuar mikrotunelin e Çorovodës.

Nënkontraktorët e TAP vitet e fundit janë rreshtuar në dhjetëshen e kompanive më të mëdha, si për fitime, ashtu dhe për të ardhura, duke treguar se sipërmarrjet në Shqipëri kanë përmasë të vogël në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit.

Nga ana tjetër, TAP nuk u shfrytëzua si në Greqi apo Turqi për të dhënë punë për subjekte lokale, por u angazhuan kontraktorë të huaj që, jo vetëm tani marrin mbrapsht fitimin e realizuar nga kontratat, por edhe “know-how” e ndërtimit të një vepre të tillë… duke lënë pas pak ose aspak nga 1.5 miliardë euro investime të TAP.

Ndikimi i TAP në ekonominë e vogël dhe të paqëndrueshme vendase u duk qartë, teksa me përfundimin e aktivitetit të nënkontraktorëve, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me 48% në shtator dhe 22% për 9-mujorin.

Daljet nga dhjetëshja

“Spiecapag Shqipëria”, operatori tjetër i francezes Spiecapag, që punon si nënkontraktor i gazsjellësit TAP, ka kaluar në vend të 12, nga vendi i katërt në renditjen e një viti më parë, kur fitimet ranë me 42%, në 1.4 miliardë lekë.

“Albchrome” është një dalje tjetër, me fitimet që zbritën në 36%, në 1.3 miliardë lekë. Në renditjen e një viti më parë, kompania ishte në vend të gjashtë.

“Intesa Sanpaolo”, që në 2017-n ishte në vend të shtatë, ka përgjysmuar fitimet një vit më vonë, në 813 milionë lekë, si rrjedhojë e kostove nga përthithja e Veneto Bank.

Lojërat e fatit historikisht kanë qenë ndër kompanitë me fitim më të lartë në vlerë absolute, por edhe si normë. “APEX-Al” ishte në vitin 2017, në vend të nëntë me fitime prej 1.7 miliardë lekësh dhe normë prej 70%. Nga 1 janari i këtij viti, këto biznese kanë pushuar së funksionuari.

Operatori i tregtimit të energjisë, “GSA”, nga vendi i dhjetë në 2017-n, ka zbritur në të 17-n, pas rënies së fitimeve me 30%, në 1 miliard lekë.

“Monitor”