Ku po na çojnë koncensionet 141 miliardëshe të Ramës?

89

Projektet e rrugëve të firmosura tashmë arrijnë në 141 miliardë lekë (1.1 mld euro), ku rreth 70% të kësaj shume e zënë kontratat e reja të rrugëve në ndërtim, ose që priten të ndërtohen së shpejti, konkretisht Rruga e Arbrit, Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren.

Për rrugën e Arbrit, shifra e dhënë në tabelë është 58.1 miliardë lekë, ose rreth 460 milionë euro, shkruan Monitor. Ndërkohë, në formularin e njoftimit të ofertuesit të përzgjedhur, në datë 31.10.2017, Gjoka Konstruksion kishte ofruar 33.6 miliardë lekë për “Dhënie me koncesion/ PPP i ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së rrugës së Arbrit”, që duke përfshirë dhe TVSH-në arrin në 40 miliardë lekë.

Po 40 miliardë lekë është dhe shuma e parashikuar si mbështetje buxhetore në një tabelë të mëparshme të Ministrisë së Financave për listën e koncesioneve/PPP me mbështetje buxhetore: https://www.monitor.al/images/2019/08/TABELA-891.jpg. Ndërsa në tabelën e re, vlera e paraqitur është 45% më e lartë.

Një tjetër kontratë me vlerë të rritur është ajo e Orikum -Dukat, që në tabelat e projektbuxhetit 2020 parashikohet të arrijë në 9.5 miliardë lekë, ndërkohë që kontrata e fituar nga kompania ishte 50 milionë euro (60 mln euro me TVSH), ose rreth 7.6 miliardë lekë. Rritja është 23%.  Për kontratën tjetër të Milot-Balldren, shuma e parashikuar është 29.3 miliardë lekë, vë në dukje Monitor.

Po ashtu, revista publikon “Listën dhe vlera e koncesioneve aktive 2020” të Ministrisë së Financave, botuar në projektbuxhetin e 2020 ku shuma është sa rreth 36% e Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB).

64% e kësaj shume, ose rreth 411 miliardë lekë (rreth 3 miliardë euro) e përbëjnë koncesionet e dhëna në sektorin e energjisë, për ndërtimin e 185 hidrocentraleve, ku më i madh është HEC i Devoll me vlerë kontrate 130 miliardë lekë. Por, këto kontrata janë investime private të koncesionarëve për ndërtimin e hidrocentraleve dhe nuk marrin pagesa nga buxheti i shtetit, por nga shitja e energjisë.

Ndërsa rreth 2 miliardë euro janë kontrata koncesionare, të cilat do të paguhen gradualisht nga buxheti i shtetit për dy dekadat e ardhshme, ku peshën kryesore e zënë ato të rrugëve, shëndetësisë, inceneratorërëve, skanimit në dogana dhe infrastrukturës shkollore në kryeqytet.

Për këto kontrata, ërvoja po tregon se rrezikun e ka marrë tërësisht përsipër shteti, ndërsa koncesionarët janë të garantuar pasi ata po marrin pagesa edhe për shërbime të pakryera, gjë që është e parashikuara në kontratë (psh si në rastin e check up, ku koncesionari paguhet për një numër të caktuar kontrollesh kryhen apo jo ato apo të rrugës Durrës-Kukës, ku kompensohet mungesa e trafikut deri në një numër të caktuar). /Monitor