Ja sa vite burg rrezikon Dvorani pas kallzimit Penal nga presidenti Meta

76

Presidenti Ilir Meta dorëzoi sot padinë e tij ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të titullit apo detyrës shtetëore.

Ashtu siç ka shpjeguar edhe këto ditë, Presidenti Meta këmbëngul se Dvorani ka tentuar të fusë në kurth institucionin e kreut të shtetit përmes emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo sipas Metës bëhet për të kapur institucionin e Gjykatës Kushtetuese dhe Dvorani sipas tij ka luajtur një rol të rendësishëm në këtë operacion.

Ndërkohë, Abcnews.al bën me dije se nëse shpallet fajtor për akuzat e ngritura nga Meta, kreu i KED-së, Dvorani, rrezikon të dënohet me gjobë deri në pesë vite burg për shkak të bashkimit të dënimeve.

AKUZAT TË PARASHIKUARA NË KODIN PENAL

Neni 246
Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore
Përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore i shoqëruar me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004; ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013).

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.