Gjykata Kushtetuese u bllokua për 2 vite që t’i krijohet mundësia Dvoranit të bëhej anëtar i saj…

75

Gjatë intervistës së saj për Zërin e Amerikës, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës, kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Sipas Kryemadhit, Gjykata Kushtetuese u bllokua për 2 vite në mënyrë që t’i krijohet mundësia Dvoranit të bëhej anëtar i saj.

“Kemi një përballje midis Marsida Xhaferllarit dhe Arta Vorpsit. Me ç’të drejtë zoti Dvorani publikon vendimet e KED në fletoren zyrtare, në çfarë ligjesh është bazuar? Sepse sipas ligjit të shkruar në Kushtetutë nuk ekziston që Dvorani të botojë vendimet. Kush është personi që ia ka bërë këtë gjë?

Cilat janë lidhjet e zotit Dvorani me drejtoreshën e qendrës së publikimeve? A mos ndoshta bashkëshortja e Maks Haxhisë është drejtoresha e publikimeve dhe nuk ka publikuar dekretet e presidentit dhe publikon vendimet e zotit Dvorani që janë të paligjshme? A mund të ketë një lidhje mes avokatit të Saimir Tahirit dhe Dvoranit, edhe të gjithë kapjes së procesit të Gjykatës Kushtetuese?

A është ky qëllim i zotit Ëngjell Agaçi, i zotit Maks Haxhia dhe i zotit Dvorani, të cilët kanë përdoruar zotin Rama për të mos lejuar të ngrihet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi prej dy vitesh, derisa të vinte Dvorani dhe të bëhej kryetar i KED?

A vjen i gjithë ky proces për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që Dvoranit ti vijë sërish mundësia në KED-në e radhës për të kandiduar dhe për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese?

Kur Palmer ka qenë në zyrën e LSI-së në 9 prill ka thënë që muaji korrik do t’ju gjejë me Gjykatë Kushtetuese. Sot pas kaq muajsh, pas një këmbëngulje të fortë, pas një lëvizje të jashtëzakonshme të shumë individëve, që janë pro shqiptarë dhe duan të ngrihen me urgjencë institucionet e drejtësisë, vetëm në këtë mënyrë do ndalojmë largimin e shqiptarëve dhe kapjen e ekonomisë nga krimi i organizuar”, u shpreh Kryemadhi.