Gati koncesioni i çmendur, 450 milionë euro për dy korsi shtesë, Tiranë-Durrës, do bëhet me pagesë

110

Kreu i qeverisë ka vendosur të nisë procedurën për dhënien me koncesion të ndërtimit të dy korsive shtesë në autostradën Tiranë-Durrës. Koncesioni është paralajmëruar disa muaj më parë nga ministra e Transportit, Balluku dhe pritet që ditët e ardhshme të nisin edhe procedurat.

Ajo që të befason edhe në këtë koncesion të ri sikurse në çdo koncesion tjetër është vlera e çmendur që shqiptarët do të duhet të paguajnë për këto dy korsi.

Sipas planit, Rama ka planifikuar të vjedhë bashkë me klientin e tij të paracaktuar, emir i të cilit do të bëhet publik gjatë ditëve të ardhshme një shumë të çmendur. Vlera e këtij projekti pritet që të kapë shifrën rekord të 450 milionë eurove ndërsa që gjatësia e rrugës është vetëm 31 kilometra dhe ku kosto për 1 km rrugë është e barabrtë me 14.5 milionë euro.

Dhe e gjitha kjo për dy korsi shtesë, ku toka nuk ka nevojë fare për shpronësim sepse është pasuri publike dhe nuk do të ketë asnjë shpenzim për të siguruar tokën. Po ashtu lehtësi të tjera janë se rruga është pothuajse gati, nga projekti ekzistues i kësaj autostrade.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku bëri me dije pak muaj më parë se do të nisin procedurat për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës.

Ministrja paralajmëroi në muajin Maj se në vjeshtë do të hapet gara më pas do të zgjidhet fituesi, i cili së pari duhet të zgjerojë dhe të sjellë në parametra europiane rrugën e vjetër Tiranë-Plepa si alternativë përpara se të bëhet autostrada me pagesë.

“Nuk qëndron asnjë projekt për momentin, do të presim çdo projekt që do të ketë fizibilitet të lartë. Dje ka pasur një konfuzion në media, projekti i autostradës Tiranë-Durrës është përmendur shpesh herë edhe nga ministria dhe qeveria si një nga projektet kryesore, pasi lidhja e kryeqytetit me portin e vendit është detyrë, ne na vendos para faktit që sa më shpejt të zhvillohet.

Ne po punojmë, në vjeshtë projekti të shpallet për garë dhe më pas të kemi një garë transparente për të qenë fituesi i radhës dhe më pas të fillojnë punimet dhe jo që në shtator do të fillojë kalimi me pagesë.

Do të ketë një dialog publik. të gjitha rrugët që në të ardhmen do të jenë me pagesë do të kenë gjithmonë rrugë alternative. Asnjë mundësi e vetme nuk do të jetë asnjëherë me pagesë”, tha Balluku.

Përveç autostradës Tiranë-Durrës, qeveria ka në plan të japë me koncesion edhe disa akse të tjera, një pjesë e të cilave ende të papërfunduara.

Behet fjale per akset Tiranë-Elbasan, Rruga e Arbrit, Levan-Vlorë, Durrës-Fier, Levan-Tepelenë, Elbasan- Kapshticë dhe Tiranë-Hani i Hotit.

Plani për taksimin e tyre ka nisur që në vitin 2016, nga BERZH dhe tarifa për të kaluar në këto rrugë parashikohet të variojë nga 1 deri në 2.6 euro.

Rruga e Arbrit pritet të ketë edhe tarifën më të lartë pas Rrugës së Kombit, kjo pasi në përcaktimin e vlerës që do të ketë taksa, do të merren në konsideratë edhe vështirësitë teknike si edhe gjatësia e tuneleve.

Aktualisht, me koncesion është dhënë Rruga e Kombit, në të cilën për çdo kalim aplikohet taksa 5 euro. Të favorizuar janë vetëm banorët e zonës, të cilët paguajnë një tarifë 1 mijë lekë.