Eurostat: Shqipëria me numrin më të madh të emigrantëve në Europë

161

Si pasojë e nivelit të lartë të emigracionit, Shqipëria u rendit në vendin e 10 në rang europian si një nga përfituesit më të mëdhenj të prurjeve nga emigrantët, sipas të dhënave të Eurostat, referuar vitit 2018.

Sipas Eurostat, Shqipëria përfitoi prurje nga familjet rezidente dhe jorezidente që punojnë jashtë vendit në vlerën e 925 milionë eurove, tre herë më pak se Serbia dhe Rumania. Shqipëria ka numrin më të madh të emigrantëve në raport me popullsinë, që jeton jashtë vendit.

Flukset e parave të dërguara nga banorët e Bashkimit Europian (BE) në vendet jo të BE-së, referuar si transfertat personale arritën më 2018 në 35.6 miliardë euro, krahasuar me 32.6 miliardë euro në vitin 2017. Hyrjet në BE arritën në 10.9 miliardë euro në 2018, i pandryshuar në krahasim me vitin 2017.

Shumica e transferimeve personale përbëhen nga fluksi i parave të dërguara nga emigrantët në vendin e tyre të origjinës. Përfituesi më i madh i remitancave në Europë për vitin 2018 ishte Rumania me 2.9 miliardë euro, në vend të dytë, Serbia, po me 2.9 miliardë euro dhe Polonia me 2.9 miliardë euro.

Gjithashtu përfitues nga puna jashtë vendit ishte edhe Britania e Madhe me 2.2 miliardë euro, por vendi është deficitar për shkak të transfertave të larta drejt vendeve të tjera.

Italianët që punojnë jashtë vendit transferuan në Itali rreth 1.9 miliardë euro, edhe pse emigrantët që jetojnë në Itali transferuan shumë më tepër jashtë vendit të tyre.

Kroacia ishte përfitues me 1.7 miliardë euro, Bosnja me rreth 1.3 miliardë euro, Bullgaria me 1,1 miliardë euro, Lituania me 1,1 miliardë euro dhe Shqipëria me 925 milionë euro që u rendit në vendin e 10 për vlerën e përfituar nga puna jashtë vendit.

Si më pak përfituese nga puna jashtë vendit janë vendet e zhvilluara si Franca, Britania, Gjermania, Spanja të cilat transferuan më shumë para jashtë vendit si transferta personale se përfituan.

Deficitin më të madh në transferta personale e kishte Franca. Emigrantët që jetojnë në Francë transferuar 11 miliardë euro drejt vendeve të tyre më 2018. Ndjekur nga Spanja me -7,7 miliardë euro, Mbretëria e Bashkuar me -7.0 miliardë euro, Italia me -6,5 miliardë euro dhe Gjermania me- 5.2 miliardë euro.