Deklarata e Presidentit pas takimit me Bashën dhe aleatët: Zgjedhje të prakohshme për zgjidhjen e krizës…

174

Zbardhen detaje nga takimi rreth 90 minuta i Presidentit Ilir Meta me përfaqësuesit e partive të opozitës jashtëparlametare.

Sipas burimeve, opozita e bashkuar ka deklaruar gjatë takimit me Presidentin se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme. Burimet konfirmojnë se opozita po punon për një draft të reformës zgjedhore që pritet të prezantohet javën e ardhshme.

Gjithashtu në takimin Metës me Bashën dhe aleatët e PD u diskutua edhe për shpërndarjen e Parlamentit.

Deklarata e Presidencës

Presidenti Ilir Meta pret në takim kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar

19 nëntor 2019

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot një takim me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar, drejtuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha.

Presidenti Meta i njohu të gjithë pjesëmarrësit në takim me situatën dramatike të sundimit të ligjit, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të Reformës në Drejtësi.

Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës.

Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.

Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.

Presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurtë për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit.