Borchard ikën nga Shqipëria

139

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchard është larguar mesditën e sotme nga Tirana. Siç e shihni dhe nga fotot ai shfaqet në aeroportin e Rinasit, për të marrë avionin.

Një ditë më parë, kreu i Shtetit, Ilir Meta ka shpallur “non grata” Ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernd Borchadt. Sipas presidentit, Borchardt nuk është më i mirëpritur në Presidencë, për dy arsye.

E para, sepse drejtuesi i zyrës së OSBE në Shqipëri, vuri në diskutim, Dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore në Shqipëri në qershor 2019. Dhe arsyeja e dytë, sepse fyeu publikisht qytetarët shqiptar me gjeste të pahijshme.

Dokumenti ku Meta i drejtohet Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE në Kopenhagen, Zyrës së Presencës së OSBE në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit të MEPJ në Tiranë është bërë publik nga mediet.

Më herët ka qenë kryedemokrati Basha, ai që refuzoi publikisht t’i jepte dorën ambasadorit Borchardt, pas një takimi të zhvilluar në selinë e PD-së, me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së në Vjenë, ku i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Prezencës. Qëndrim ky që u pasua dhe mori formë zyrtare nga Presidenti i Republikës.