Basha në Krujë paralajmëron djalin e deputetit të PS: Mjerë ata që do të guxojnë të prekin votën!

Në nismën “Rrugëtim për Shqipërinë”, kreu i opozitës, Lulzim Basha gjatë takimit me të rinjtë e Krujës, ndër të tjera foli dhe për djalin e deputetit socialist, Rrahman Raja, Rexhepit, i cili i tha kreut të opozitës një vit më parë kur u arrestua se, “do shihemi në zgjedhje”.

Basha u shpreh se, Rrajat nuk do guxojnë të prekin votën e shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme.

“Dua t’i them sot: Do ta shohësh ti dhe gjithë soji e sorollopi i gangsterëve”, u shpreh Basha.

Gjithashtu Basha kujtoi premtimin e pambajtur të Edi Ramës për guroret dhe ndotësit e tjerë të mjedisit në Krujë.

I pyetur nga të rinjtë në Krujë për ndotjen e ambjentit nga fabrikat e çimentos, Basha kujtoi premtimin e pambajtur të Edi Ramës për guroret dhe ndotësit e tjerë të mjedisit atje.

“Fatkeqësisht asnjë masë nuk është marrë. Ju e shikoni, bëhen aksione propagandistike, goditen disa që nuk paguajnë rryshfetet dhe gjobat, ndërkohë që ambjenti mbetet i ndotur. Teknologjia për ta ndalur ndotjen ekziston.

Kjo ka një kosto, por zyrtarët marrin rryshfet. Këtë nga përvoja ime në Elbasan dhe qytetarët vazhdojnë të helmohen. Problemi i ndotjes është problem korrupsioni. Nëse fabrikat e Krujës dhe të Shqipërisë aplikojnë të njëjtat masa siç merren në Perëndimm, atëherë nuk ka pse të ndotet ajri, por ata paguajnë një kosto më të lartë se mbrojtja e ambjentit, që është rryshfeti i qeveritarëve.

Këtë duhet të ndalim! Cili është mekanizimi për ta ndalur? Nëse qeveritari premton se do ta ndalë ndotjen dhe nuk e ndal, ju të keni fuqi ta shkarkoni. Pikërisht, këtë mekanizëm ka shkatërruar Edi Rama se nuk jua ka dhënë fuqinë ju, por ia ka dhënë kriminelëve, ia ka dhënë Tur Bushëve me shokë, ia ka dhënë Rrajave dhe ata bëjnë ligjin.

Ata marrin rryshfetet, bëjnë proteksionin, bëjnë gjithçka dhe kur vjen dita e zgjedhjeve, del ai bukuroshi atje dhe thotë “ta shohë Lulzim Basha, kur të vijnë zgjedhjet”.

Dua t’i them sot: Do ta shohësh ti dhe gjithë soji e sorollopi i gangsterëve. Sepse kjo betejë nuk bëhet për Lul Bashën apo PD. Kjo betejë bëhet për gjithë shqiptarët. Unë nuk kam ndërmend të lë në baltë krutanët, nuk kam ndërmend të lë në baltë shqiptarët, nuk kam ndërmend ta lë në baltë rininë.

Ne në zgjedhje do të shkojmë, do të përballemi dhe mjerë ata që do të guxojnë të prekin votën e shqiptarëve! Mjerë ata! Kjo do të jetë garancia për ju siç është garancia në çdo vend normal. Nëse nuk mban premtimet, ik në shtëpi. Kështu funskionon Europa, kështu do të funskionojë edhe Shqipëria, se këtë meritojnë shqiptarët”, u shpreh Basha.