Bale, blerja e parë e Mourinhos tek Tottenham

Trajneri i ri i Tottenham, Jose Mourinho, i ka vënë shënjestrën anësorit Gareth Bale si futbollistin e parë që dëshiron ta transferojë në skuadrën e tij të re, sipas gazetës spanjolle “AS”.

Kthimi i Bale në Premierligë dhe ribashkimi me Spurts, megjithatë, nuk duket i mundshëm gjatë afatit kalimtar të janarit.

Menaxheri i uellsianit, Jonathan Barnett, ka këmbëngulur se klienti i tij nuk do të largohet nga Real Madridi në janar. Por largimi i tij në verë është shumë i mundshëm.

Po ashtu, Mourinhos i është bërë e qartë nga klubi se do t’i duhet të punojë me skuadrën ekzistuese të Tottenham Hotspur, sepse nuk ka para për të shpenzuar në blerjen e lojtarëve në janar.

Bale u tall me Madridin duke pozuar para një flamuri që thoshte: “Uellsi. Golfi. Real Madridi. Sipas kësaj renditjeje.” Kjo s’u prit aspak mirë nga legjendat dhe tifozët e Real Madridit.

Kjo i ka nxitur tej mase thashethemet për të ardhmen e tij.