Vjedhje e dokumentuar, koncesionari i Check-up, 6.5 milionë euro nga shteti për shërbime që nuk i ka kryer

103

Në kontratat koncesionare, të cilat janë shtuar dukshëm vitet e fundit, po rezulton që kompanitë private janë të mbrojtura dhe të gjithë rrezikun po e merr përsipër shteti. I tillë është dhe rasti i koncesionit të check-up, apo atij të kontrollit

shëndetësor, ku kompania private është paguar dhe për shërbime, që ajo nuk i ka realizuar, duke garantuar fitime të qëndrueshme për gjithë periudhën e koncesionit. Kjo shumë në 4 vjet, që kur ka filluar aktivitetin koncesionari llogaritet në 801 milionë lekë, ose rreth 6.5 milionë euro, sipas vlerësimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në raportin e buxhetit faktik 2018 ka konstatuar nga auditimi mbi monitorimin e kontratës së kontrollit bazë CHECK-UP me PPP rezultoi se, edhe këtë vit nuk janë arritur projeksionet e kontratës duke bërë që, pagesat e marrë tepër nga koncesionari, për punën e pa kryer për vitet 2015, 2016, 2017 dhe 2018, pra kosto shtesë progresive (duke zbritur shpenzimet stabël) është 801 milion lekë (241 milion lekë për shpenzimet variabël të kontrolleve të pa realizuara dhe 560 milion lekë TVSH-ja e faturuar e këtij shërbimi), ndërsa për vitin 2018, kjo kosto shtesë llogaritet për 168 milion lekë (22 milion lekë për shpenzimet variabël të kontrolleve të pa realizuara dhe 146 milion lekë TVSH-ja e faturuar e këtij shërbimi).

Koncesionari i check-up, ndonëse shërbimet mjekësore janë të përjashtuara nga TVSh rezulton që ka faturuar me TVSH.

KLSH thekson se se në rastin e TVSH ka një mosveprim të unifikuar të disa institucioneve shtetërore të cilat pasojnë përgjegjësitë nga njëri tek tjetri. KLSH konstaton me shqetësim trajtime të ndryshme për aplikimin e TVSH ndërmjet kontratave koncesionare, ndonëse shërbimet që ofrohen nga këto kontrata janë të përjashtuara nga TVSH.

Kontrata garanton pagesat
Sipas kontratës Check up duhet të kryejë rreth 475 mijë kontrolle bazë në vit. Në rast se nuk i plotëson, diferenca paguhet nga shteti. Sipas të dhënave zyrtare të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për vitin 2017 janë kryer gjithsej 316,601 kontrolle bazë.

“Bazuar në projeksionin e planifikuar për kryerjen e kontrollit mjekësor bazë për periudhën janar-dhjetor 2017, kemi një realizim të këtij treguesi në rang vendi prej 67%. Ky tregues sipas Drejtorive Rajonale të Fondit ka nivele të ndryshme. Ky tregues është i ulët në Sarandë, Lezhë, Dibër, Vlorë, Tropojë, Gjirokastër” pohon analiza e FDSKSH-së.

Kompania që po zbaton kontratën koncesionra të check-up, “3P Life Logistic” merr rreth 876 milionë lekë pagesa në vit për shërbimet që kryen. Kompania ka fituar koncesionin e Ofrimit të Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up), e cila është nënshkruar në vitin 2015 dhe afati i saj është 10 vjet. Vlera totale e saj ishte 8.7 miliardë lekë dhe deri në përfundim të saj, në vitin 2024, buxheti pritet të disbursojë edhe 5.2 miliardë lekë.

Check-Up, 731 mijë euro fitime në vitin 2018
Koncesioni i kontrollit bazë Check-Up nëpërmjet kompanisë 3P LifeLogistic realizoi në vitin 2018 të ardhura në masën 876 milionë lekë, teksa fitimet ishin rreth 90 milionë lekë ose 731 mijë euro, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc) më 2018. Një vit më parë, fitimet e kompanisë ishin 750 mijë euro mbi 100 milionë lekë.

3P LifeLogistic, kompania e themeluar për mbarëvajtjen e koncesionit 10-vjeçar të checkup-it zotërohet në 80% të aksioneve nga kompania Marketing & Distribution dhe në 20% nga kompania Trimed.

E vendosur shpeshherë në shënjestër për koncesionin, qeveria është përpjekur ta mbrojë atë me argumentin se kompania private ka kryer investime, që buxheti i shtetit nuk kishte mundësinë t’i bënte. Por bilanci i kompanisë duket se nuk e mbështet këtë argument.

Kompania 3P LifeLogistic, e themeluar në dhjetor 2014 me një kapital themeltar prej vetëm 30 milionë lekësh, ka deklaruar investime totale në laboratorë shumën prej 337 milionë lekësh, ndërkohë që të ardhurat nga taksapaguesit kanë qenë në vlerën e 554 milionë lekëve.

Gjithashtu, koncesioni i ka mundësuar kompanisë që pas një investimi në kapital themeltar prej vetëm 30 milionë lekësh, brenda nëntë muajve nga fillimi i aktivitetit të nxjerrë një fitim neto prej 45 milionë lekësh, me një normë kthimi prej 150%.

Kontrata do të zgjasë për dhjetë vjet, gjatë të cilave, tatimpaguesit do të paguajnë rreth 54 milionë euro, pavarësisht se sa do të jetë numri i analizave të kryera.