Trumpi konfirmon vrasjen e kreut të ISIS-it, al-Bagdadi

38

Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar të dielën se gjatë një aksioni të njësive speciale amerikane është vrarë udhëheqësi i “Shtetit Islamik” (IS) Abu Bakr al-Bagdadi, në veri të Sirisë.

“Mbrëmë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sjellë para drejtësisë terroristin numër një në botë”, tha Trump. Presidenti amerikan tha se para një muaji kanë marrë informacione të rëndësishme për vendndodhjen e kryeterroristit. Gjatë këtij aksioni janë vrarë edhe shumë njerëz të Al-Bagdadit, thonë autoritetet amerikane.

Më parë mediat kanë njoftuar se gajtë aksionit Al-Bagdadi duke parë se nuk mund të dalë nga situata e tanishme, ka bërë vetëvrasje me një rrip me eksploziv. Në lajmet e para thuhej se së bashku me Al-Bagdadin janë vrarë edhe dy gra të tij.

Ndërkohë që në disa informacione të pakonfimuara deri në fund thuhet se gjatë aksionit janë vrarë edhe disa fëmijë të tij. Autoritetet amerikane pohojnë se informacionet e sakta do të publikohen së shpejti.

Presidenti amerikan Trump tha se forcat ruse nuk kanë qenë të informuara për këtë aksion. Ndërsa një rol të rëndësishëm kanë luajtur informacionet e kurdëve. Ndërkohë edhe vet Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, të cilët kryesonin luftën kundër IS me mbështetjen e SHBA-së, pohojnë se ato kanë luajtur një rol vendimtar në operacionin e vrasjes së al-Bagdadit.

Trumpi thotë se ai e ka shikuar operacionin ushtarak së bashku me ministrin Esper dhe autoritetet ushtarake amerikane. Al – Bagdadi është bërë i njohur në botë pas krijimit të një të ashtuquajturi kalifat në territoret e Sirisë dhe Irakut, në vitin 2014.

Ky territor është quajtur edhe si “Shteti Islamik”, por më pas forcat e ISIS-it kanë humbur kontrollin pothuajse në të gjithë territorin.