Trump vepron kundër mediave “fake” me një ide të re

98

Mediat kritike kanë qenë halë në sy për Trump. Ideja e tij e fundit: Institucionet federale amerikane do të detyrohen të përfundojnë abonime të caktuara. Të prekura nga kjo masë janë “New York Times” e “Washington Post”.

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka cilësuar si “New York Times”, edhe “Washington Post” si “armiq të popullit”. Tani Shtëpia e Bardhë dëshiron që institucionet federale amerikane të mos i marrin më përmes abonimit gazeta të tilla.

“Moszgjatja e abonimit të këtyre institucioneve federale do të thotë një kursim kostoje për taksapaguesin, qindra mijëra dollarë,” bëri të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham.

Në komunikatën për shtyp nuk bëhet e qartë, se si do ta zbatojnë këtë konkretisht institucionet amerikane. “Wall Street Journal” raportoi në bazë të informatave nga qarqe qeveritare, se Shtëpia e Bardhë po përgatit një urdhëresë për autoritetet federale, sipas të cilës nuk do të zgjatet më abonimi për dy gazetat e njohura amerikane. Sipas agjencisë, AFP, Shtëpia e Bardhë i ka anuluar ndërkohë abonimet e saj.

Kritikët: Përhapësi më i madh i lajmeve “fake”, vetë Donald Trump
Mediat që raportojnë në mënyrë kritike për të, “New York Times”, “Washington Post” e të tjera, Trump i akuzon se e trajtojnë atë “në mënyrë të tmerrshme”, dhe se përhapin “lajme të rreme”. Por kritikët e fajësojnë Trump, se ai vetë është përhapësi më i madh i “lajmeve të rreme”.

Sipas verifikuesve të fakteve në “Washington Post”, Trump në afër 1000 ditët e qeverisjes ka bërë 13.435 pohime të gabuara apo çorientuese. Trump i tha televizionit të preferuar prej tij, Fox News, se “New York Times” është “një gazetë fake”, që ai nuk e do më në Shtëpinë e Bardhë. Të dyja gazetat gëzojnë një prestigj të madh ndërkombëtar.