Trump publikon foton e qenit hero që….

Presidenti amerikan, Trump ka publikuar një foto të qenit “hero” që mori pjesë në aksionin e forcave speciale amerikane që çuan në vrasjen e kryeterroristit, Al Baghdati.

“Ne kemi publikuar një foto të qenit të mrekullueshëm (emri jo i deklasifikuar) që bëri një punë të madhe në kapjen dhe vrasjen e udhëheqësit të ISIS, Ebu Bekri al-Bagdadi!”, shkruan Trump në një postim të shkurtër në rrjetet sociale.

Presidenti Donald Trump, përshëndeti operacionin që komandot amerikane ndërmorën gjatë fundjavës në Siri kundër kreut të Shtetit Islamik Abu Bakr al-Bagdadi, të cilin ai e quajti “një Trump: , që tani ka vdekur”.

Presidenti Trump u tha shefave të policisë në një konferencë në Çikago: “Ai është i vdekur, është i vdekur si gozhda e një dere dhe nuk pati ndonjë vdekje të guximshme. Këtë mund t’jua them me siguri”.

Udhëheqësi amerikan deklaroi: “Ai duhej të ishte vrarë vite më parë, një president tjetër duhet ta kishte eliminuar.” Presidenti tha se SHBA tani kanë “dhjetëra mijëra të burgosur të ISIS-it nën mbikëqyrjen e tyre të afërt.”

Presidenti Trump tha gjithashtu se SHBA planifikojnë të mbajnë në posedim fushat e naftës brenda Sirisë me vlerë 45 milion dollarë në muaj, të ruajtura nga trupat amerikane, edhe pse Presidenti tashmë ka tërhequr shumicën e forcave të tjera amerikane nga veriu i Sirisë në jug të kufirit me Turqinë.

Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha ndërkaq të hënën në Pentagon se sulmi u ekzekutua “shkëlqyeshëm në të gjitha aspektet” nga Forcat Speciale të SHBA. Ai e quajti atë kulmin e “një operacioni shumë-vjeçar për kapjen ose vrasjen e Bagdadit, i cili ka kryer disa nga mizoritë më brutale të kohës sonë”.

Ai tha se operacioni preciz vërteton se Shtetet e Bashkuara “mund të godasin këdo, kudo, në çdo kohë”. Pavarësisht kësaj, ai tha se tërheqja më e gjerë kohët e fundit e trupave nga Siria e urdhëruar nga Presidenti Trump do të vazhdojë, duke lënë më pak forca amerikane në rajon.

Gjenerali Mark Milley, kreu i shtatmadhorisë amerikane, tha se sulmi ndodhi rreth gjashtë kilometra larg kufirit me Turqinë dhe se zyrtarët ushtarakë kanë plane në ditët e ardhshme për të publikuar video të disa pjesëve të operacionit.

Presidenti Trump tha të dielën se Bagdadi deri në çastet e fundit ishte “duke qarë e bërtitur” deri sa vdiq, por Milley tha se ai nuk e dinte se cili ishte burimi i këtij informacioni. Milley tha megjithatë se Presidenti Trump kishte folur drejtpërdrejt me anëtarët e ekipit të operacionit.

Milley iu shmang pyetjeve të tjera në lidhje me operacionin.

Video nga operacioni
Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se ai mund të deklasifikojë dhe publikojë një pjesë të videos të filmuar të shtunën gjatë operacionit të forcave speciale në Siri, ku u vra kreu i Shtetit Islamik Abu Bakr al-Bagdadi.

Videoja besohet se përfshin pamje ajrore dhe ndoshta pamje nga kamerat e montuara në trupin e ushtarëve që sulmuan kompleksin e al-Bagdadit.

“Do të mendojmë për këtë, mund ta publikojmë,” u tha Presidenti Trump gazetarëve para se të nisej për në Çikago sot në mëngjes.“Mund të shkëpusim pjesë të caktuara dhe t’i publikojmë,” tha ai.

Nëse publikohet, videoja do të duhet që së pari të pastrohet, për t’u siguruar se aty nuk tregohen taktikat e përdorura nga forcat amerikane, tha një zyrtar.