Pse Ramës as që i intereson të hyjë Shqipëria në Europë

93

Nga Ergys MERTIRI

Në fakt, për integrimin e saj nuk e çan kokën askush. Kryeministrit Rama as që i duhet të hyjë në Evropë, pasi ai interesohet për një Shqipëri që e udhëheq dhe e kontrollon vetë, sipas qejfit, oreksit, shijeve apo tekave personale, dhe jo një Shqipëri me institucione të forta dhe funksionale, ku ka kërkesë llogarie. Hapja e negociatave është më shumë një justifikim që Ramës i duhet për të mbuluar dështimet katastrofike të këtyre 6 vjetëve.

Rrjedhimisht, përderisa qeveria nuk e çan kokën, përse duhet ta çajë Evropa? Asaj i duhet procesi i integrimit të vendeve si Shqipëria, ndër të tjera, për të pasur shtete satelitë në kufijtë e saj. Në këto kushte, një Shqipëri që pret në prag, qoftë edhe për vite të tëra, nuk është aspak problem për të.

Dikush mund të thotë, siç është thënë shpesh këto ditë, se moshapja e negociatave do të sjellë zhgënjim dhe dekurajim të Shqipërisë në lidhje me procesin e integrimit. Në fakt, asgjë nuk do të sjellë.

Marrëdhëniet e politikës shqiptare me BE-në nuk kushtëzohen nga procesi i integrimit. Përkundrazi, ato janë marrëdhënie vasaliteti, të kushtëzuara me shërbimet që politikanët shqiptarë iu bëjnë atyre evropianë.

Në këtë aspekt marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Politikanët tanë thonë “po” për gjithçka i intereson faktorit ndërkombëtar, dhe marrin si shpërblim përkrahjen e tyre për të qeverisur, pavarësisht se shkelin e përçudnojnë institucionet, ekonominë e të gjithë shtetin.

Kjo politikë do të vazhdojë të jetë e fortë edhe pas refuzimit të negociatave. Shqiptarëve iu mbyllën dyert e BE-së edhe për këtë vit, por qeverisë nuk iu pre mbështetja për reformat shterpë që ndërmerr prej 6 vitesh.

Gjobën për gjithçka e paguan populli.