Protestë kundër vendimit të Qeverisë për ndërtimin e kullave te Kopshti Botanik

57

Senati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës kundërshton VKM-në që kalon në pronësi të Bashkisë, të Kopshtit Botanik. Sipas vendimit të qeverisë më 17 Korrik, Kopshti Botanik nuk do jetë më pronë e Universitetit të Tiranës, por e Bashkisë.

Pa mbledhje së djeshme të senatit, është vendosur të bëhet padi në Gjykatën Administrative për prishjen e vendimit të Këshillit të Ministrave. Më 27 tetor, gjykata do vendosë për pranimin ose jo të kërkesës.

Protesta

Para Administratives, pedagogë dhe studentë u mblodhën në një protestë, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë.

Një nga përfaqësuesit e senatit tha se Kopshti Botanik është përdorur për qëllim studimore nga Fakulteti i Shkencave. Ai deklaroi se do përshkallëzohen protestat nëse nuk rrëzohet VKM-ja dhe se do kalohet deri në ngujim në auditore.

Qëndrimet e politikës

“Nuk do të lejojmë që Kopshti Botanik t’i kalojë bashkisë. Ne do të ndjekim të gjitha kushtet ligjore. Nuk mundet që ministria të japë kopshtin Botanik Bashkisë së Tiranë. Ajo është një qendër kërkimore për studentët”, u shpreh një tjetër pedagog.

Edhe opozita është në mbrojtje të qëndrimit të fakultetit. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi bëri thirrje për t’u bashkuar për të mos lejuar zaptimin e pronës. Ndërsa ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi deklaroi se ”Edi Rama dhe Erion Veliaj me VKM speciale po grabisin 15 HA të Kopshtit Botanik, ku do të ndërtojnë kulla betoni, pa konsultimin me Rektoratin, Senatin, dekanatin, asamblenë e personelit akademik e as këshillin studentor, si pronarët ligjorë të Kopshtit Botanik”.

Ndërkohë, nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbian Mazniku tha për një televizion, se Kopshti Botanik do vijojë të përdoret për qëllime studimore, por edhe si një pikë turistike për qytetarët.