Protesta, dhunë dhe të lënduar në Katalonjë

44

Rreth 350.000 persona kanë protestuar në fundjavë në Barcelonë. Ata kanë kërkuar lirimin e nëntë udhëheqësve të tyre. Por në një protestë janë shënuar akte dhune.

Me të rënë errësira u mblodhën disa mijëra njerëz në afërsi të qendrës së policisë në Barcelonë. Policia kishte mbyllur të gjitha dritaret dhe hyrjen kryesore. Demonstruesit brohorisnin “Jashtë forcat okupatore” dhe “Largojeni flamurin spanjoll”. Ata kanë hedhur objekte të ndryshme në drejtim të policisë.

Policia është përgjigjur me shkopinj gome. Njoftohet se gjatë përleshjeve ka pasur të paktën 50 të lënduar. Protestat e dhunshme janë mbajtur me ftesën e grupit radikal të komitetit për Mbrojtjen e Republikës së Katalonjës (CDR).

Më parë rreth 350.000 vetë kanë protestuar në mënyrë paqësore në Barcelonë, nën moton “Llibertat” (Liria). Demonstrata është mbajtur nën patronazhin e organizatave civile Assemblea Nacional Catalana (ANC) si dhe Omnium Cultural. Gjatë protestës janë dëgjuar brohoritjet “Pavarësi!” dhe “Liri për të burgosurit politikë!”

Kryetarët e bashkive në protestë
Në një takim të më shumë se 700 kryetarëve të bashkive, të cilët kanë marrë pjesë në protestë, presidenti separatist rajonal Quim Torra tha: “Në rrugën e pavarësisë nuk ka kthim mbrapa!” “Nuk ka asnjë dënim që do të na detyrojë të heqim dorë nga qëllimi ynë:

Pavarësia”, thuhet në një thirrje të ANC. Kryetarët e bashkive e kanë mbështetur qëndrimin e Torras. Ata kanë kërkuar lirimin e të burgosurve dhe “ndërprerjen e nënshtrimit nga shteti spanjoll”.

Me 14 tetor gjykata më e lartë në Madrid ka dënuar shtatë politikanë rajonalë dhe dy aktivsitë – ish udhëheqësit e ANC dhe Omnium Cultural – për shkak të rolit të tyre në referendumin për shkëputje, me heqje lirie në kohëzgjatje deri në 13 vjet.

Prej atëherë në Katalonjë po zhvillohen protesta dhe përleshje të ashpra mes policisë dhe demonstruesve. 656 njerëz janë plagosur deri tani – 367 civilë dhe 289 policë.

Të premten e kaluar në protesta kanë marrë pjesë sipas policisë rreth 525.000 mbështetës të lëvizjes për pavarësi. Ishte kjo nata me dhunën më të fuqishme në Katalonjë, në vitet e fundit. 83 persona janë arrestuar, ndërsa janë lënduar 182 vetë, ndër ta 22 policë dhe dy gazetarë.

Sánchez refuzon bisedimet
Qeveria socialiste e kryeministrit Pedro Sánchez ka refuzuar deri tani takimet dhe bisedat me seperatistët. Ai tha se para bisedimeve, Torra duhet të dënojë dhunën më të re. Katalonja është e përçarë thellësisht.

Në sondazhet e fundit thuhet se 44 % e të anketuarve mbështesin ndarjen e Katalonjës nga Spanja, ndërsa 48 % janë për mbetjen e saj në Spanjë. Të dielën është mbajtur në Barcelonë edhe një tubim i mbështetësve të Spanjës unike. Ata mbështetën masat e qeverisë për mbetjen e Katalonjës në Spanjë dhe kundërshtuan ata që angazhohen për pavarësi.