Pas presionit të Ramës dhe Braçes, Apeli liron ish-kreun e Kadastrës së Durrësit

72

Gjykata e Apelit liron ish-kreun e Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula, të vënë nën masë arresti me burg me akuzën për shpërdorim detyre. Gjyqtari i Apelit Durrës, Valbon Çekrezi vendosi ta lirojë drejtorin e Katasdrës duke i hequr masën e “arrestit me burg” dhe duke vendosur ndaj tij “detyrim paraqitje”. Vendimi erdhi pas ankimit nga mbrojtja të vendimit të dhënë në shkallë të parë ndaj Pulës.

Më 2 tetor, oficerë të Policisë Gjyqësore janë paraqitur në zyrën e Pulës te Kadastra e Durrësit, me vendimin e gjykatës në dorë dhe i shtrënguan prangat ish-zyrtarit të lartë në qytetin bregdetar. Arrestimi është kryer në kuadër të hetimeve që po zhvillohen nga prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja. Në kuadër të këtij hetimi, pak ditë më parë u prangos me urdhër ndalimi të prokurorit Ndoja edhe zv.drejtoresha e Kadastrës Durrës, Lusiena Kola. Ndaj Kolës, gjykata caktoi më vonë masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”.

Në kuadër të të njëjtit hetim, Prokuroria e Durrësit ka shpallur në kërkim edhe ish-drejtorin e ALUIZNI-t në qytetin bregdetar, Flamur Gjuzi. Këta zyrtarë të lartë, si edhe disa vartëa të tyre, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën nëpërmjet legalizimit dhe regjistrimit të një numri të konsiderueshëm pronash në mënyrë anti-ligjore. Burime nga grupi hetimor deklaruan se pjesa më e madhe e pronave të legalizuara e regjistruara në kundërshtim me ligjin, gjenden në zonën bregdetare.

Pas arrestimit, Pula u shkarkua nga detyra si kreu i Kadastrër Durrës dhe në vend të tij u emërua  Arjan Cengu.

Arrestimi i Liridon Pulës dhe lënia e tij në burg sollën ndërhyrjen e politikës në këtë proces. Me deklaratat e tyre, kryeministri Edi Rama dhe zëvendëkryeministri Erion Braçe kanë hedhur akuza ndaj prokurorit të çështjes dhe gjykatëses që pranoi masën e “arrestit me burg” për Pulën.