Paloka: Nuk mund t’i hapen negociatat një vendi, ku kryeministri del dhe sulmon egërsisht prokurorë e gjyqtarë…

77

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, gjatë një interviste për Fax News duke folur për çeljen e negociatave, deklaroi se shqiptarët po bëjnë regres me qeverinë e Edi Ramës.

Paloka deklaroi se nuk mund të hapen negociatat, pa zgjedhje te lira, ndërkohë që Rama përdor justifikime duke mos pranuar përgjegjësinë.

Po ashtu Paloka foli edhe për përplasjen e kryeministrit Edi Rama dhe zv.Kryeministrit Erion Braçe me prokurorin Arjan Ndoja, ku sipas ish-deputetit ky sulm është jashtë çdo logjike.

Paloka shtoi se, nëse kryeministri e di se prokurori është pjesë e bandave kriminale, pse nuk e tregon se pjesë e cilës bandë është dhe pse nuk e arreston edhe bandën edhe prokurorin.

“Ju kujtoj se të paktën tre herë deri më sot ka festuar ka hapur shampanjë, për çeljen e negociatave. Dje nxori fytyrën e vërtëtë ashtu siç është dhe siç pritej. Ka qendruar në pushtet 20 vjet, dhe ka 6 vjet në qeveri, nuk e kemi dëgjuar kurrë të mbajë përgjegjësi për çdo lloj skandali. Nuk thotë asnjëherë që përgjegjësi jam unë.

Dje përcaktoi edhe armikun e brendshëm edhe armikun e jashtëm që ishin opozita dhe media dhe dje zbuloi edhe armikun e jashtëm. Dje vuri Gjermaninë si armik të jashtëm.

Një nga justifikimet e tij është se BE nuk do të zgjerohet më, por pse Maqedonisë së Veriut janë gati t’i hapen negociatat. Pse Gjermania i vendosi kushte vetëm Shqipërisë. Bundestagu Shqipërisë i vuri 9 kushte dhe Maqedonisë së Veriut pa asnjë kusht. Nuk ka naiv sot që gënjehet nga loja e Ramës.

Saimir Tahiri është theksuar nga shumë parnterë dhe është kërkuar arrestimi i tij. Një deputet në Bundestag tha nuk mund t’u hedhim hi syve me këtë dënim. Saimir Tahiri del i lirë dhe sot janë arrestuar dy a tre nga banorët që protestojnë për shtëpinë e tyre. Nuk mund t’i hapen negociatat një vendi, që dalin dhe sulmojnë egërsisht prokurorë dhe gjyqtarë, duke i akuzuar për lidhje me krimin. Pse sepse kanë vënë në bankën e drejtësisë një drejtor kadastre.

Në rastin kur këtyre ju kapen të korruptuarit, këto dalin në kundërshtim me gjykatës e prokurorë, jashtë çdo logjike. Pse nuk e thotë kryeministri me cilën bandë është prokurori Ndoja? Pse nuk e arreston edhe bandën edhe prokurorin. Si pretendon të hapen negociatat?! Kur janë vënë kushte të qarta. Ku ti jo vetëm nuk zbaton kushtet por bën të kundërtën. Duket që me qeverinë Rama shqiptarët po bëjnë regres”, u shpreh Paloka.