Kapitullim, 1107 institucione nuk derdhin lekët e siguracioneve prej se 1 viti!

128

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka akuzuar qeverinë për fshehjen e skandalit të mospagimit të detyrimeve shoqërore të punonjësve të administratës publike. Vasili publikoi listën e institucioneve që kanë detyrime ndaj punonjësve, ku pjesë e të cilave është edhe Këshilli i Ministrave.

Vasili shprehet se, janë 1107 institucione që kanë detyrime të papaguara ndërkohë që akuzoi qeverinë se po përgatit kapitullimin e skemës së pensioneve.

Vasili kujton se të ardhurat për pagat e punonjësve të rinj në administratë merren nga fondi i sigurimeve shoqërore, duke e thelluar akoma më shumë borxhin në institutit e sigurimeve shoqërore.

Deklarata e plotë

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!

Jemi së bashku në këtë komunikim për të denoncuar një skandal të dimensioneve shumë kritike dhe që ka të bëjë me një moment tepër delikat, pra me sigurimet shoqërore të punonjësve.

Thënë më thjesht për të gjithë njerëzit që na ndjekin nga shtëpia dhe nga të gjithë qendrat e punës, ato detyrime, të cilat duhen paguar e që kanë të bëjnë me mbrojtjen shoqërore, në mënyrë të veçantë me pensionin e tyre të pleqërisë, nuk paguhen nga shteti.
Shifrat janë katastrofike. Shteti shqiptar ka sot 137 miliard lekë, apo rreth 110 milion euro borxh sigurimeve shoqërore. Situata është akoma më skandaloze sepse 1107 institucione publike nuk paguajnë sigurimet shoqërore, pra grabisin punonjësit.

Reforma, të ashtuquajtura për të evituar punësimet e panevojshme, fiktive që rëndonin administratën dhe të cilat vetëm rëndonin bilancet ekonomike rezultuar të ishin të gjitha thjesht dhe vetëm demagogji partiake apo sebepe për të punësuar militantë, njerëz të afërm të partisë në pushtet pa pasur asnjë lidhje me reformat.

Po ju jap vetëm një shembull të nderuar qytetarë. Përpara reformës të ashtuquajtur dhe të famshme territoriale dhe administrative kishim të punësuar në administratën e Bashkive dhe të Komunave 22 mijë punonjës. Mbas reformës, e cila do të synonte shkurtimin e këtyre vendeve paralele të panevojshme për ta reduktuar dhe për të kursyer mjaft para siç u tha në atë kohë, çfarë rezultoi nga 22 mijë punonjës që kishim në atë kohë, kemi 33 mijë e 500 punonjës në njësitë e reja të krijuara nga bashkitë e mëdha dhe sigurisht paratë për të punësuar këta mijëra e mijëra njerëz të pa nevojshëm që nuk ofrojnë as shërbime, që nuk ofrojnë asgjë, janë pikërisht nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore ku mijëra punonjës do të gdhijnë një ditë e do të shikojnë sesa u mungojnë nga kontributet e tyre të ligjshme të cilat shteti nuk i ka derdhur.

Këto punësime pa fund, pa vlerë vihen re masivisht në drejtoritë e ujësjellësit të bashkive, këto bashki dhe në mënyrë të veçantë duke filluar nga bashkia e Tiranës të cilat rriten në mënyrë të jashtë zakonshme të turpshme, çmimi i ujit si asnjë herë, nuk ofruan asnjë pikë uji më shumë për qytetarët as një shërbim më të mirë, përkundrazi ne kemi një gjendje dramatike të ujit duke filluar që nga Tirana, por prodhuan mijëra punonjës më shumë dhe paratë në vend që të paguheshin sigurimet shoqërore, paguheshin investimet për ujësjellësit u kthyen në punësime militantësh partiake.

Është dramatike që ky borxh kaq i madh është akumuluar dhe rënduar që mbas vitit 2014 e këtej. Me fondin e marrë nga qeveria në fund të viteve 2013, 2014 u likuiduan ato pak borxhe që u gjetën që ishin rreth 3 miliardë, ndërkohë që sot borxhi shkon tek 14 miliardë. Në atë kohë socialistët, ministrat e asaj kohe, konkretisht ish-ministri i asaj kohe Erjon Veliaj që sot i punëson ujësjellësit e Tiranës e nga do dhe e ka çuar me mijëra e mijëra ushtrinë bashkiake deklaronin që ishte tragjedi që rreth 1300 institucione nuk paguanin dhe kishin akumuluar një borxh që ishte 5 herë më i vogël se borxhi që akumuluan po vetë para pak kohësh. Vetëm në vitin 2018, borxhi është rritur me 2.7 miliard.

Gati 18% gjithsej. Pra bëhet fjalë për miliarda e miliarda të cilat shkojnë për të punësuar arradhën e parazitëve të rilindjes të cilët paguhen vetëm për të bërë sekserllëkun e votave ditën e votave. Por sa janë borxhlit? Të nderuar qytetarë këtu kam një listë tepër të gjatë me 1007 subjekte, ku ndërmjet subjekteve është edhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë. Sigurisht që do të marrim paratë e sigurimeve shoqërore, për të paguar ushtrinë e sharrsave me pagesë, të rreshtuar nëpër zyra e nëpër vrima të tjera për të fshehu të vërtetat e mëdha e për të goditur këdo që I paraqet këto të vërteta para publikut. Pra, shpërdorohen miliarda për mashtrim, për llogari dhe për hesape partiake, në dëm duke filluar jo vetëm nga shërbimet e qytetarëve por në rradhë të parë dhe mbi të gjitha mbi atë që është jetike. Mbi sigurimet shoqërore. Mbi pensionin e ardhshëm të qytetarëve. Shumë punonjës me shumë të drejtë, nuk e dinë që shteti I tyre nuk ja paguan sigurimet shoqërore. As nuk mund t’iu shkojë në mëndje që ta verifikojnë a na e ka paguar shteti këtë gjë. Se që prej ditës që janë në punë, kjo gjë duhet që të ndodhi automatikisht.
Dhe kurrkush nuk mund ta mendojë që shteti I tyre vjedh. Kjo ndodh thash në këshillin e ministrave, po ndodh edhe në ministrinë e Mbrojtjes, po ndodh Në Ministrinë e Financave, po ndodh në ministrinë e Brendshme, po ministrinë e Kulturës, në Autoritetin rrugor, qendra shëndetësore, drejtori, Bashki, një aradhë pa fund. Dhe ka një paradoks shumë të madh të nderur qytetarë, është shumë më i rregullt siç rezultojnë bilancet ekonomikë po të vetë shtetit jo të opozitës, që është shumë më i rregullt dhe më rigoroz në pagesa privati me sigurime shoqërore, dhe është një shpërdorues, një hajdut i madh shteti që e ka akumuluar këtë borxh, i cili është një borxh i fshehur që u shtohet borxheve qindra milionëshe që i ka tashmë dihen, një borxh që kalon 110 milionë euro.

Pra të nderuar qytetarë duhet të bindeni përgjithmonë që keni një qeveri që vetëm shpërdoron, grabit, vjedh dhe që nuk ka ndërmend për asnjë çast kujdesin për qytetarët, për punën e tyre, për pleqërinë e tyre, për pensionet e tyre, por shkatërrues i çdo lloj skeme normale, i çdo lloj perspektive dhe po përgatit në mënyre tragjike kolapsin e ardhshëm të skemës së pensioneve.

Në këtë mënyrë me punësim shumë të ulët dhe me sigurime shoqërore që vidhen dhe grabiten, skema e pensioneve është sot më e rrezikuar dhe më e tronditur se kurrë. Mijëra pensionistë, por edhe ata që janë në prag të pensionimit të tyre duhet të jenë më të preokupuar se kurrë në jetën e tyre përballë një shteti i cili mund ti katandisë ata një ditë që të mos kenë mundësi të marrin as pensionin e pleqërisë në një moment shumë delikat dhe të vështirë të jetës së tyre.

Ne do të jemi këtu dhe do të vazhdojmë të denoncojmë në ditët që vijnë këto të vërteta të mëdha të cilat nuk mund të fshihen, kurrkush nuk mund ti turbullojë me demagogji, pasi janë e zeza mbi të bardhë, dhe të vërteta të pashlyeshme. Ju faleminderit të gjithëve