VOA: Përgjimet që burgosin Tahirin

161

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot 12 vite burg për ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri, për bashkëpunim me një grup kriminal në trafikim të lëndëve narkotike drejt Italisë në të paktën 4 raste gjatë viteve 2013 dhe 2015.

Ish-ministri Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela, i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti, akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, si grup i strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave si grup i strukturuar.

Organi i akuzës paraqiti sot përfundimet e hetimeve, sipas të cilave, ish-ministri Tahiri akuzohet për katër episode të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë më 25 tetor 2013, 27 shkurt 2014, 29 korrik 2014 dhe 8 maj 2015.

Sipas hetuesve, Saimir Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela u kanë krijuar mbrojtje trafikantëve.
Në seancën e sotme u lexuan edhe disa përgjime ambientale dhe telefonike në favor të akuzave. Pas leximit të pretencës nga 3 prokurorë, nisi edhe mbrojtja e të pandehurve.

Ish-ministri i brendshëm Tahiri kërkoi pafajësi. Ai i hodhi poshtë akuzat si të pabazuara në prova, duke thënë se grupi i Habilajve u procedua disa herë gjatë mandatit të tij si ministër.

Ai shtoi se për sasinë e parë që më akuzoni sapo ishte emëruar ministër, ndërsa në të dytën ishte ministër vetëm dy muaj, dhe nuk mund të kishte lidhje.

Zoti Tahiri tha se nuk i ka ndihmuar kurrë kushërinjtë e tij të arrestuar tanimë në Itali.
Ai tha se ata janë proceduar penalisht pikërisht në tetor 2013, dhe më vonë i ka denoncuar dhe proceduar vëllezërit Habilaj, Artan, Florian dhe Moisi Habilaj, për pengmarrje.

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u njoh me akuzat 6 muaj më parë, shkurtin e kaluar. Ai akuzohet për “Trafik të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

Zoti Tahiri u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pra gati dy vjet më parë, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marihuanë nga Shqipëria drejt Italisë.
Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi arrestimin e ish ministrit, por shumica socialiste refuzoi kërkesën, duke pretenduar se prokurorët nuk kishin paraqitur asnjë provë. Në maj 2018 zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe sërish prokuroria kërkoi arrestimin e tij. Ish ministri i brendshëm kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, e më pas Gjykata e Apelit vendosi që ai të hetohej në gjendje të lirë.

Afro një vit më parë autoritetet sekuestruan pronat e “Grupit Habilaj” vëllezërve Artan, Florian dhe Moisi Habilaj, mes të cilave një pikë karburanti dhe 29 pasuri të ndryshme të tyre; 10 apartamente, 3 ndërtesa, truall, garazh, 4 njësi tregtare, 4 pasuri të patundshme dhe 5 automjete.

Moisi Habilaj mbahet si kreu i grupit, që merrej me dërgimin e sasive të mëdha të marijuanës drejt Italisë, ku autoritetet e Katanias goditën grupin shqiptar si pjesë të një organizate kriminale italo-shqiptare.

Zoti Tahiri ka mohuar akuzat për përfshirjen e tij në trafik narkotikësh, apo se ka patur lidhje me grupin e Habilajve.
Ish ministri i Brendshëm ka pretenduar se ky proces ndaj tij ka qenë politik nga fillimi deri në fund dhe ka kërkuar disa here që prokuroria të mos zvarriste hetimet ndaj tij.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e zotit Tahiri për gjykim të shkurtuar, vendim që e ul automatikisht te një e treta masën e dënimit të mundshëm të tij. Nëse gjykata vendos 12 vjet burg, sa kërkoi prokuroria, Tahiri mund të dënohet me 8 vjet burgim.