Viktimat e reja e Fondit Monetar Ndërkombëtar

107

Në vitin 2013 FMN-ja ka pranuar se i ka “nënvlerësuar” efektet e rreptësisë financiare ndaj Greqisë. Por në harkun e pak viteve ka firmosur një marrëveshje të ngjashme me Argjentinën dhe Ekuadorin.

Në vitin 2013 FMN-ja ka pranuar se i ka “nënvlerësuar” efektet e rreptësisë financiare ndaj Greqisë. Por në harkun e pak viteve ka firmosur një marrëveshje të ngjashme me Argjentinën dhe Ekuadorin.

Procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të ardshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) duhet të ndryshojë. Në mënyrë të veçantë, duhet t’i jepet fund traditës së zgjedhjes të një europiani për postin, e bazuar mbi një “pakt midis xhentëlmenësh” të lidhur me Shtetet e Bashkuara (që në shkëmbim drejtojnë Bankën Botërore) 73 vite më parë, kohë kur institucioni u krijua. Por, gjë akoma më e rëndësishme, është e nevojshme që të transformohet qëndrimi i FMN-së ndaj huave. Fondi ka një traditë të gjatë gabimesh politike. megjithatë, siç e demonstron mandati i sapopërfunduar i Christine Lagarde, nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara. Mjafton të mendohet për rastin e Argjentinës.

Në vitin 2018 FMN-ja i ka dhënë vendit një hua 3 vjeçare prej afërsisht 57 miliard dollarësh, më e madhja në historinë e institucionit, në vijim të një serie vendimesh të rrezikshme të Presidentit argjentinas Mauricio Macri. Një prej këtyre vendimeve, i marrë menjëherë pasi ka ardhur në pushtet më 2015, ka qenë marrëveshja me disa kreditorë që luftonin akoma në gjykatat e Shteteve të Bashkuara për t’u paguar plotësisht në vijim të falimentimit argjentinas të 2002 dhe ristrukturimit pasues të borxhit.

Një tjetër, në vijim, ka qenë dehja me borxhin e Macri, që e ka fryrë borxhin publik me më shumë se një të tretën. Në vitin 2018 deficiti publik dhe ai i llogarive korrente argjentinase e kalonin 5% të PBB-së. Në krizën financiare dhe ekonomike që ka buruar, borxhi publik është ngritur vertikalisht thuajse me 90% të PBB-së, kapitalet janë larguar për shkak të zhvlerësimit të pesosit argjentinas dhe inflacioni është rritur. Kështu që, me presionin e Presidentit amerikan Donald Trump (që në të kaluarën kishte bërë biznes me Macri), ka hyrë në lojë FMN-ja, me mbështetjen e Lagarde.

Huaja është e paprecedent për nga përmasa, por ka të gjitha tiparet familjare e programeve të kaluara financuese të FMN-së. në shkëmbim të parave, Argjentinës i është kërkuar që të bëjë shkurtime të mëdha bilanci. Vendi i ka bërë dhe ekonomia është përkeqësuar. Sot është mbi 55%, koeficenti i varfërisë ka kaluar 30%, prodhimi dhe punësimi janë në rënie. Argjentina është larg nga objektivat e FMN-së për investimet dhe rritjen e PBB-së, që tashmë janë rishikuar dy herë. Dhe sigurisht priten shpejt rishikime të tjera për poshtë.

Nuk është hera e parë që FMN-ja ndodhet në këtë pozicion. Në vitin 1998, kur Azia Lindore pre e krizës financiare, Fondi ka nënshkruar jo më pak se 5 memorandume mirëkuptimi me Tajlandën pasi përmbushja e kërkesave për rreptësi financiare të vendosura vendit kishte përcaktuar respektimin e munguar e objektivave të tij makroekonomike. Megjithatë, në vend që të nxirrte një mësim nga menaxhimi i keq i kësaj krize financiare, Fondi ka bërë të njëjtat gabime në Europë pasi kriza globale e 2008 e ka futur eurozonën në një spirale rënëse. Në vend që t’i lejonte Greqisë të deklarohej e falimentuar ndaj kreditorëve privatë, bashkë me Bankën Qendrore Europiane dhe me Komisionin Europian, FMN-ja i ka huazuar para vendit. Kushtet e rreptësisë financiare e kanë bërë të pamundur rimbursimin e huasë, tashmë në duart e kreditorëve publikë dhe Greqia vazhdon të vuajë.

Në vitin 2013 FMN-ja ka shpërndarë një raport në të cilin pranonte se i kishte “nënvlerësuar” efektet e rreptësisë financiare ndaj ekonomisë greke. Dukej një diçka premtuese, por në fakt, më pak se 5 vite më vonë, ky vetëdijësim nuk është pasqyruar në marrëveshjen me Argjentinën. As nuk i gjendet gjurmë në marrëveshjen e arritur më së vonshmi me një vend tjetër të Amerikës Latine.

Në muajin mars FMN-ja ka miratuar një hua 3 vjeçare prej 4.2 miliard dollarësh për Ekuadorin në kuadër të një plani reduktimi të borxhit publik. Në shkëmbim, Fondi kërkon një konsolidim fiskal nëpërmjet shkurtimeve të rrogave dhe të vendeve shtetërore të punës, një rritje të çmimeve të energjisë, taksa të reja për shërbimet publike dhe një rritje të taksave indirekte. Ka mundësi që masa të tilla do të çojnë në një ulje të PBB-së dhe reçisioni do të zgjatet gjatë gjithë kohës së programit.

Megjithatë, FMN-ja është i bindur se rritja do të zvogëlohet vetëm pak në 2019, përpara se të rigjallërohet në 2020, pasi një rritje e besimit të sektorit privat, natyrisht e gjeneruar nga kufizimet e bilancit dhe nga privatizimet, do të çojë në një rritje të investimeve nga jashtë. Si zakonisht, absurditeti i kësaj logjike do të jetë i qartë në momentin e duhur. Një ekonomi në konfuzion nuk është tërheqëse për kapitalin privat. Ndërkohë, populli i Ekuadorit do të vuajë.

Lidhur me besimin e habitshëm të FMN-së tek “rreptësia financiare ekspansive” është për të qeshur, sikur të mos shkaktonte dëme mjaft serioze. Si mundet FMN-ja të justifikojë një metodë që në të kaluarën është demonstruar kaq pak efikase? Një shpjegim mund të jetë mungesa e përgjegjësisë nga ana e burokratëve të institucionit, edhe në nivelet më të larta. Po të ishte kështu, rritja e ndjenjës së përgjegjësisë duhet të jetë edhe detyra e parë e kujt do të zërë postin e Lagarde në drejtimin e FMN-së.

(Jayati Ghosh është një ekonomiste indiane. Jep mësim në Jawaharlal Nehru të New Delhi dhe bashkëpunon me gazeta të ndryshme indiane)

Përgatiti

ARMIN TIRANA