Trump: “E ardhmja nuk u përket globalistëve; ajo u përket patriotëve”

Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me asnjë vend tjetër, ai nuk do të hezitojë të mbrojë interesat e Amerikës.

“Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 2.5 trilion dollarë që nga rizgjedhja ime për të rindërtuar ushtrinë tonë të madhe. Jemi gjithashtu kombi më i fuqishëm në botë,” i tha ai një salle të mbushur plot me udhëheqës botërorë. “Shpresojmë që kurrë nuk do të duhet ta përdor këtë fuqi.”

Presidenti Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me asnjë vend.
“Ne dëshirojmë paqe, bashkëpunim dhe përfitim të ndërsjellë me të gjithë, por unë nuk do të dështoj asnjëherë të mbroj interesat e Amerikës,” i tha ai Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Trump e cilësoi regjimin iranian si një nga kërcënimet më të mëdha globale, duke thënë se shtyp qytetarët e tij në vend ndërsa ushqen konflikte dhe terrorizëm përtej kufijve. Ai tha se për sa kohë që kjo vazhdon, sanksionet e Shteteve të Bashkuara nuk do të hiqen, por do të forcohen.

Por presidenti amerikan la të hapur derën e diplomacisë, duke vënë në dukje se disa nga armiqtë e shkuar të Amerikës janë tani miqtë e saj më të ngushtë.

“Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë besuar në armiq të përhershëm,” tha ai. “Ne duam partnerë dhe jo kundërshtarë.”
Pas sulmeve të 14 shtatorit në dy rafineri nafte saudite, për të cilat Shtetet e Bashkuara fajësuan Iranin, shpresat për një takim të mundshëm mes presidentëve të të dy vendeve në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme u venitën. Irani ka mohuar përgjegjësinë për sulmet.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët iranianë kanë thënë se liderët e tyre nuk do të takohen, disa diplomatë po shpresojnë se mund të ketë një takim për të provuar të ulen tensionet.

Presidenti francez Emmanuel Macron u takua të hënën vonë me presidentin iranian dhe agjensia franceze e lajmeve njoftoi se kancelarja gjermane Angela Merkel do të zhvillonte takime veçmas me presidentin Trump dhe presidentin iranian Hassan Rouhani të martën.