Tërmeti trondit vendin, 55 të plagosur dhe dëme të mëdha materiale

221

Vazhdon të rëndohet bilanci i tërmetit të fortë që goditi mesditën e sotme Shqipërinë. Burime të portalit “Dosja.al” bëjnë me dije se 6 persona dyshohet se kanë humbur jetën tek Shkëmbi i Kavajës, pasi janë zënë poshtë nga copa shkëmbi, teksa po kalonin në këtë aks. Informacionet e para janë tejet kontradiktore.

Deri tani mbi 55 qytetarë kanë mbetur të plagosur nga tërmetet e fuqishme që tronditën vendin.

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 5.8 ballë i shkallës rihter dhe intensitet mbi 7.5 ballë është regjistruar 30 km në veri të Durrësit, afër Kepit të Rodonit.

Tërmeti i fuqishëm që tronditi vendin ka lënë pas dëmtime të shumta materiale edhe në qytetin e Tiranës.

Ashtu si edhe në zona të tjera, edhe te Fresku, shumë pallate kanë pësuar dëme të mëdha materiale, ndërsa qytetarët janë detyruar të lenë banesat e tyre dhe të vazhdojnë të jenë ende në rrugë.

Lëkundjet më të fuqishme të tërmetit u ndjenë në qytetin e Durrësit duke qenë më afër epiqendrës e cila ishte në detin Adriatik.

Raportohet se në këtë qytet një pallat është çarë në dysh si pasojë e tronditjeve të forta.

Dëshmitarët raportojnë se në Durrës është krijuar nëj situatë paniku dhe qytetarët kanë përjetuar moment tmerri.

Sipas IGJEUM ky është tërmeti më i fortë i regjistruar në 20-30 vitet e fundit. Lëkundjet janë ndjerë në Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Pogradec, Fier, Dibër e Shkodër.

Universiteti i Tiranës, godina e shkollës së Magjistraturës, fakultetit i Gjeologji-Minierës, ka pësuar dëme të shumta si pasojë e lëkundjeve të tërmetit që goditi vendin tonë.

Siç shihet dhe nga pamjet muret janë rrënuar komplet dhe për pasojë janë dëmtuar dhe dy automjete që ndodheshin aty rrotull.