Tahiri: Nuk më intereson çfarë thotë Ambasada Amerikane, në SHBA nuk flasin ambasadat

141

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një deklaratë për mediat ditën e sotme, është pyetur për deklaratat e ambasadave një ditë më parë, për vendimin e gjykatës (3 vite shërbim pove) dhënë ndaj tij.

“Për cilën pjesë të kem koment. Për Ambasadat? Kam përshtypjen ka tjetër ekip që merret me likes dhe share, as i numëroj dhe as më interesojnë. Do vijë dita që unë te kem një përgjigje tani dua të kem përgjigje për të vërtetën time. S’dua të abuzoj me asgjë të bej komente. Unë e di shumë mirë kë kam përballë, s’jam nga ato që s’e di”, tha Tahiri.

 “Sa i takon ambasadave? Dekurajuese edhe për mua që i dëgjova ato deklarata. Nuk flitet për një vendim gjykate të pazbardhur akoma. Nuk besoj se edhe në amerikë, ambasada flet për një gjykatë”, shtoi më tej.

Një ditë më parë, si ambasada amerikane dhe ajo britanike u shprehën se vendimi i gjykatës së Krimeve të Rënda për Tahirin ishte “shkurajues” dhe “zhgënjyes”.

Tahiri ka lëshuar sulme ndaj ish-kundërshtarëve politikë e mediave, duke thënë se emri i tij është baltosur pa të drejtë. Edhe për vendimin e gjykatës, tha se ishte i pakuptimtë dhe paralajmëroi apelim.

“Heshta përrallë gënjeshtrave për të respektuar drejtësinë dhe jo se s’di të flas. sepse kam besuar që nuk duhej të ishte gjyq popullor por shembullor. E bëra duke ditur edhe sakrificën e kujtdo që do të donte të më besonte para akuzave dhe gënjeshtrave që bien mbi kurrizin tim. Po të shtosh edhe se sa gazetarët kanë shfrenuar fantazinë me shpifje dhe akuza dhe sa analistë kanë nxjerrë përfundime të gabuara, unë heshta i bindur në respekt të drejtësisë.

E kisha shumë kollaj të mbaja mandatin e deputetit, por e lashë vullnetarisht. Mund të rrija në parlament edhe pse hetohesha dhe të shfrytëzoja politiken siç kanë bërë të gjithë para meje pa asnjë përjashtim. Kanë ndenjur në parlament edhe pse janë akuzuar për vjedhje dhe vrasje. Unë e lashë mandatin, ndërpreva çdo aktivitet politik dhe sepse çdo drejtësi nën sqetullën e politikës s’do ishte drejtësi për mua. Është më mirë rreziku nga padrejtësi sesa drejtësia që të bën politika.

U përballa si qytetar I thjeshtë me të gjithë drejtësinë dhe politikën. Edhe me ata ca që heshtën dhe nuk mu ndan nga fyti që nga dita ime e parë në politikë, unë besoj se burrat dallohen nga cilësi e armiqve që kanë. Unë këtë rrugë zgjodha që kur isha në opozitë, edhe kur isha ministër edhe tani me këtë rrugë do edukoj fëmijët e mi. vetëm për të vërtetën time. Që në nisje mbajta mbi kurriz akuza nga më të çuditshme, se fitoja 5 mln euro në muaj dhe harxhoja për fushatë 20 mln euro në muaj.

Për fat gjykata italiane gjykoi dhe thanë qartë se unë ‘kam asnjë lidhje’. Karroca e prishur e akuzave ndaloi këtu në një stacion. Të gjitha cfarë janë thënë për mua janë gënjeshtra. Siç e tha edhe gjykata italiane dhe shqiptare asnjë komunikimi dhe kontakt me këdo që është akuzuar në këto dy vjet bashkë me mua. Nuk kam pasur asnjë lidhje me asnjë aktivitet të paligjshëm.

Kam bërë vetëm punën time. Këto dhe shumë gënjeshtra të tjera nuk i thashë kurrë në publik deri ditën që dola në gjykatë. Por tani do i përsëris shumë më shumë se kaq se gënjeshtrat një ditë bien. Sigurisht ishte një gjysmë lajm i mirë për mua. Gënjeshtrat morën një përgjigje edhe pse as e plotë dhe as përfundimtarë. Kjo për mua nuk është drejtësi e plotë dhe beteja për të drejtën time ndaloi dje në stacionin e parë dhe ka plot rrugë përpara”, tha Tahiri.

Mesazhe të koduara për Fatmir Xhafjan: Do pres ditën dhe do tregoj…

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është pyetur për deklaratat e dhënë nga ai më herët, nëse kanë qenë mesazhe të koduara për kolegët e tij socialistë dhe pasardhësin e tij Fatmir Xhafaj.

“Unë e kuptoj që keni nxitim të gjeni nëntekstin e çdo fjalie që them por mendoni që i them edhe thjeshtë dhe pa nëntekste. Nuk hyj tek ata që them një gjë dhe nënkuptoj një tjetër dhe nuk i them gjërat me rregullim gjuhe për të shmangur diçka tjetër. Po të ishte se i thoja ashtu do i thoja në sy. Ca të tjera që i mendoj do pres ditën dhe do ti tregoj”, u përgjigj Tahiri.

Tahiri nuk ka dhënë një përgjigje të prerë nëse do të rikthehet sërish në politikën aktive.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Tahiri tha se nuk “është kjo çështja, mua më intereson drejtësia”. “Nuk e vendos askush se çfarë do bëj unë me jetën time dhe me pjesëmarrjen time në politikë”, shtoi.