Tahiri flet me kode në Gjykatë: Unë nuk jam shefi i madh, Edi Rama është shefi i madh…!

154

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka shpërthyer në sallën e gjyqit duke u shprehur me tone të larta se ai nuk është shefi i madh, shefi i madh është Edi Rama.

Tahiri ka këmbëngulur se është i pafajshëm.

Duke folur për implikimin e tij të pretenduar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Tahiri ka përmendur edhe Edi Ramën të cilin e ka cilësuar si ‘shefin e tij të madh’, por vetëm politik.

‘Ndodhem këtu si i pandehur se i shita makinën një personi, ndërkohë që njoh plot njerëz e ka plot të tillë që s’mbajnë përgjigje si edhe për vëllezër trafikantë.

Ju po më mbani këtu për interesa që vetëm ju mund të mi shpjegoni. Punova si ministër edhe kur më vunë bombat në shtëpi.

Unë nuk jam shefi i madh, Rama është shefi im i madh në politike, as unë e as Rama nuk jemi shefa në raport me krimin’, mësohet të ketë deklaruar Tahiri përpara togave të zeza.

Sipas raportimeve të mediave që kanë qenë brenda seancës gjyqësore, Tahiri ka deklaruar se ai po akuzohet për një makinë që ka shitur ndërsa ka edhe ish-ministra që kanë vëlla të dënuar për trafik droge dhe ndaj tyre nuk ka asnjë hetim.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzohet se ka favorizuar Habilajt, kushërinj të largët të tij, në trafikun e drogës.

Duket se kjo ka qenë arsyeja që Tahiri ka përmendur vëllezërit, pa specifikuar konkretisht se kujt ia drejton mesazhin e koduar.

Nënkuptohet se, shigjetat e Tahirit janë në drejtim të Fatmir Xhafajt, pasardhësit të tij në Ministrinë e Brendshme, të cilit iu kërkua dorëheqja pasi vëllai i tij Agron (Geron) Xhafaj, ishte dënuar nga drejtësia italiane për trafik droge.

Por akuza publike ka pasur edhe në drejtim të Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama për trafik droge dhe bashkëpunim në ngritjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit.

Trupa gjykuese është tërhequr duke njoftuar se do ta bëjë të ditur vendimin e saj përfundimtarë, sot në orën 16.00.