Shpëtimi i shqiptarëve – shkatërrimi i dyshes Rama-Thaçi

102

Enver Bytyçi

Në këtë përfundim kanë arritur shumica e shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë e përtëj kufijve të dy shteteve tona. Krizat e vazhdueshme institucionale, mungesa e perspektivës, humbja e shpresës, rrënimi moral, ekonomik e social, krizat politike kanë shenjuar vetëm një fajtor: Dyshen me emrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Por interesant është se në këtë përfundim ka arritur këto ditë edhe një institut serioz e prestigjioz, ai i Studimeve Ballkanike dhe të Lindjes se Mesme (IFIMES) në Slloveni.

Drejtori i këtij instituti, Zijad Beçiroviç, thoshte para pak ditësh se “Edi Rama e ka kriminalizuar politikën në vend” dhe se”afrimi i tij me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin shikohet si një përpjekje për të mos rrezikuar pushtetin e tij personal. Nëse rrezikohet Thaçi, të njëjtin fat do të ketë edhe Edi Rama”.
Tashmë askush nuk dyshon se të dy këta udhëheqës autoritarë dhe arrogantë, të korruptuar e njëkohësisht të lidhur me bandat kriminale, janë shndërruar në rrezik kombëtar për Shqipërinë dhe Kosovën e anasjelltas.

Shënova kundrinorin anasjelltas, sepse gjurmët e krimit dhe pushtetit të pakufizuar të njërit ose tjetrit nuk ndjehen përkatësisht vetëm në vendet ku secili prej tyre sundon, por edhe në vendin respektiv. Tashmë është krijuar një lidhje simbiozë e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës me interesat e Beogradit dhe qendrave antishqiptare kudo në botë.

Të dy këta kanë harmonizuar një politikë të përbashkët jo vetëm në qëllime dhe objektiva, por edhe në metodë, stil e gjestikulacione, në dëm të interesave kombëtare e qytetare në të dy vendet tona. Kurthet, intrigat, lufta e paprinciptë me kundërshtarët politikë brenda vendit, nepotizmi, arroganca në marrjen e vendimeve, futja në dorë e të gjitha pushteteve, përfshirë gjyqësorin, përdorimi për interesa personale i buxhetit të shtetit, të gjitha këto dukuri kanë çuar në rrënimin ekonomik të qytetarëve në të dy vendet tona, në regresin e reformave, në dështimet politike sa i përket integrimeve euro-atlantike e në fusha të tjera.

Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë qenë me fat as në periudhat e qeverisjeve të mëparshme. Por nuk ka ndodhur asnjëhherë që vendet tona të zbrazen nga rinia si në kohën e qeverisjes së Edi Ramës dhe Hashim Thaçit. Kosova përjetoi tragjedinë e eksodit të madh të vitit 1999. Por nuk u zbraz, qindramijë shqiptarë të dëbuar u rikthyen brenda javës pas 1o qershorit në shtëpitë e vatrat e tyre. Kjo ndodhi se nuk humbi shpresa.

Më parë, sidomos në dekadën e fundit, Kosova i rezistoi sundimit brutal të Milosheviçit. Por nuk mundi t’i rezistojë arrogancës së pushtetit të Hashim Thaçi gjatë qeverisjes së tij pas pavarësisët. Ndaj dhe migrimi shihet si i vetmi mjet shpëtimi për qytetarët e Kosovës. Më parë shqiptarët fajësonin Milosheviçin për migrimin tonë, ndërsa tani ata fajësojnë në të njëjtën masë Hashim Thaçin. Në kushtet e pushtimit e të sundimit serb, edhe pse pa ushtri, polici e administratë shtetërore, Ibrahim Rugova synoi dhe realizoi politikën e moszbrazjes së Kosovës. Ndërsa Hashim Thaçi po e zbraz atë në kushtet e paqes e të administrimit të vendit me polici, ushtri, administratë dhe institucione legjitime e të pavarura nga Serbia.

Shqipëria kaloi në vitin 1997 krizën më të thellë e më të madhe në historinë e saj moderne. Por nuk u zbraz si në gjashtë vitet e qeverisjes së Edi Ramës. Sepse së paku nuk u vra shpresa, se ky vend mund të bëhet edhe pse institucionet e tij u shkatërruan në jug. Ndërsa sot shqiptarët duket se kanë humbur gjënë më të çmuar, shpresën për të ardhmen, ndaj dhe ikin prej Edi Ramës, ikin madje duke mallkuar vendin e tyre, në vend që të mallkojnë shkaktarin e kësaj tragjedie njerëzore në kohë paqeje.

Dyshja Rama-Thaçi shkuan përtej imagjinatës dhe intuitës historike të shqiptarëve: U morën vesh me Beogradin për tjetërsimin e territoreve të Kosovës. Dhe jo vetëm kaq. U bënë bashkë me Ivica Daçiç dhe Aleksandër Vuçiq për të shenjuar ku janë e ku s’janë armiqtë e shqiptarëve dhe për të kërkuar bashkëpunimin e tyre për ta realizuar idenë e Serbisë së Madhe, duke e nisur këtë ide nga Ibri, Mitrovica e Trepça. Nëse shohim trajektoren e ushtrimit të diplomacisë serbe dhe të diplomacisë së Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, dallojmë faktin se të dy palët u takuan me të njëjtët njerëz, krijuan të njëjtat lidhje, bashkëpunim e miqësi me gjithkënd në botë që i ndihëmon ndarjes së Kosovës.

E gjithë kjo veprimtari antinjerëzore dhe antikombëtare është zhvilluar në ditën me diell, e kemi parë dhe e kemi përcjell herë me shqetësim dhe herë me mospërfillje. Disa e kanë mbështetur me idiotizmin e tyre. Ndaj dhe na duhet që një ditë t’u themi këtyre dy dinosaurëve antishqiptarë, “Mjaft është mjaft”! Çdo gjë e ka një kufi. Ju keni shkelur çdo limit në agresivitetin tuaj antishqiptar. Ju e keni dëmtuar rëndë jo vetëm kauzën dhe shtetësinë e dy shteteve shqiptare, por po shkatërroni dhe asgjësoni dinjitetin dhe integritetin territorial e moral të shqiptarëve!

Si të tillë Rama dhe Thaçi janë shndërruar në rrezik kombëtar e rajonal. Ndaj dhe Instituti Slloven i bën thirrje të ngarkuarit të SHBA-ve në rajon, zotit Palmer, që punën e tij ta nisë me shkatërrimin e kësaj dysheje të rrezikshme!