Padi në Kushtetuese për 366 milionë eurot e koncesioneve të rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat

94

Lëvizja Socialiste për Integrim paralajmëroi se do të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese koncesionin e rrugës Milot-Balldren dhe Orikum Dukat, të cilat u miratuan dje nga Kuvendi.

Ish-kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili e quajti “hajdutëri e dimensioneve më të mëdha që u është bërë shqiptarëve”, miratimi i këtyre dy koncesioneve, që erdhi pas kthimit për rishqyrtim nga Presidenti Ilir Meta.

Përmes një konference për mediat, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili paralajmëroi qeverinë shqiptare se beteja e opozitës do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, duke kthyer në arkën e buxhetit fondin e dhënë për këto dy rrugë.

Vasili teksa u bëri thirrje shqiptarëve të ngrihen në këmbë, garantoi se LSI nuk do të bëjë hapa pas.

“Shpërdorohen 250 mln euro të shqiptarëve, pra 300 mld lekë. Qeveria shqiptare e qartë dhe e bindur për të grabitur këto para, për te mos marr ajo përgjegjësinë e hajdutërisë nga pikëpamja formale, ia kalojë Kuvendit dhe deputetëve. Po ju garantoj nga kjo foltore, se betejen tonë për të çuar në vend përgjegjësit e kësaj hajdutërie shtetërorë, grabitje të padëgjuar, nuk do të lëmë asnjë hap deri në kthimin e këtyre parave në buxhet. Nga denoncimi në SPAK, madje do ta ndjekim në gjykatën Ndërkombëtare. Janë baras sikur të ndërtonim 4 spitale Nënë Tereza në vend, apo shumë gjimnaze. Qeveria kërkon te vjedhë 250 milionë euro.

366 milionë euro është fatura e tmerrshme e hajdutërisë që bie në kurrizin e shqiptarëve. Do shfuqizojmë këto ligje në Gjykatën Kushtetuese kur ajo të ngrihet. Nëse gjykatat do të mbyllin sytë do ta ndjekim edhe në gjykatat ndërkombëtare”,tha Vasili në një deklaratë për mediat.