Noka: Edi Rama është peng i Saimir Tahirit, ndërsa drejtësia…

96

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka ka bërë sot një deklaratë të fortë teksa komentoi vendimin e djeshëm të Gjykatës së Krimeve të Rënda për pasardhësin e tij socialist në qeveri, Saimir Tahiri.

Noka u shpreh se, Tahiri i ka përgjuar të gjithë, përfshirë edhe një pjesë të ambasadave të huaja.

Në një intervistë në “Top Talk” në Top Channel, ish-deputeti i Partisë Demokratike tha se, me këto përgjime Tahiri kontrollon “Shefin e Madh”, ndërsa nënkuptonte kryeministrin Edi Rama.

Sipas Nokës, me pajisjen Imsi Catcher është përgjuar opozita dhe ambasadat e huaja në Tiranë. Ai theksoi se, ish-ministri Tahiri nuk ka patur nevojë të shantazhojë ambasadorët sa kohë shantazhon kryeministrin e vendit.

“Pajisja Imsi Catcher, fakti që u fut në mënyrë të fshehtë dhe që ka lëvizur në të gjitha institucionet ku ka opozitë, përfshirë edhe ambasadat e rëndësishme, do të thotë që ajo lëviz vetëm për të përgjuar dhe ka një rreze përgjimi. Nuk ka patur nevojë të shtantazhojë ambasadat e huaja sepse ai ka shantazhuar dhe ka në xhep kryeministrin e vendit”, është shprehur Noka.

I pyetur për vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për dënimin e Tahirit me shërbim prove, Noka tha se, Partia Demokratike nuk kishte asnjë pritshmëri, pasi procesi u shkatërrua nga kryeprokurorja Arta Marku.

“Pritshmëritë tona i kemi publike që ditën që është emëruar kryeprokurore PPP-ja me emrin Arta Marku. Që ditën që Prokuroria e Krimeve të Rënda u shkatërrua me një të rënë të lapsit dhe hetimi i sapo i nisur nga ish-ministrit Tahiri u ndërpre. Që në atë kohë ne kemi bërë me dije se e gjitha kjo ishte një skenar i Edi Ramës për të shkatërruar hetimin ndaj Saimir Tahirit, pasi siç u vërtetua dje, Edi Rama është peng i Saimir Tahirit, ndërsa drejtësia është peng te Edi Rama. Nuk kemi patur ndonjë pritshmëri në lidhje me vendimin. Por vendimi ishte shok për opinionin publik sepse tregoi që drejtësia e re e Edi Ramës është drejtësi e vdekur”, deklaroi Flamur Noka.