Koreja e Veriut teston një tjetër raketë bërthamore

34

Koreja e Veriut ofroi të rifillojë bisedimet e ngecura bërthamore me Shtetet e Bashkuara. Por, jo shumë pas kësaj deklarate vendi aziatik testoi një raketë tjetër. Hapat e Phenianit lënë të kuptohet se Pheniani nuk e ka gjasa të heqë dorë shpejt nga fushata e tij e presionit.
Nga Koreja e Veriut vijnë sinjale të reja kundërthënëse.

Vetëm pak orë pas ofertës për takim kokë më kokë me zyrtarët amerikanë, Koreja e Veriut testoi një raketë bërthamore, e dhjeta që nga muaji maj. Ushtria e Koresë së Jugut tha se dy raketa me rreze të shkurtër veprimi përshkuan 330 kilometra.

Disa orë më herët, zëvëndës Ministrja e Jashtme e Phenianit Choe Son Hui tha se bisedimet Kore e Veriut- SHBA mund të rifillojnë nga fundi i muajit. Një ofertë që Presidenti amerikan Donald Trump e pranoi por pa bujë.

“Do të jetë interesante. Të shohim. Oferta erdhi pak më herët. Të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha President i Shteteve të Bashkuara. Samiti i dytë mes udhëheqësve të dy vendeve në muajin shkurt përfundoi pa marrëveshje dhe që atëherë bisedimet kanë ngecur.

Në një takim tjetër në qershor, Presidenti Trump dhe udhëheqësi Kim Jong Un u pajtuan të vazhdojnë bisedimet. Por zyrtarët e Koresë së Veriut nuk erdhën. Është e paqartë nëse ndonjëra nga palët e ka zbutur qëndrimin.

“Ajo që do të dilte nga takimi është ende në pikëpyetje, sepse zyrtarët e Veriut presin të shohin një metodë tjetër përllogaritjeje. Nuk jam i sigurt nëse SHBA është e gatshme pëpr diçka të tillë”, thotë analistja politike June Park në Seul.

Presidenti Trump nuk u ka dhënë rëndësi provave të Koresë së Veriut me raketa me rreze të shkurtër, me arsyetimin se kjo nuk e shkel premtimin që i dha atij udhëheqësi i Koresë së Veriut, për të mos kryer prova bërthamore ose prova raketash me rreze të gjatë veprimi.