Basha: Ka rënë shteti, Rama duhet të ikë t’i hapë rrugë zgjidhjes së krizës

97

Në një dalje për mediat pas takimit me aleatët në selinë e PD, Lulzim Basha është shprehur se, e vetmja zgjidhje politike e mbetur është largimi i Ramës dhe zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie tranzitore.

Sipas liderit të opozitës, nuk mund të ketë hapje negociatash me një qeveri që nuk organizon dot zgjedhje të lira e të ndershme,

“Zgjedhje të lira e të ndershme nën kontrollin e një qeverie tranzitore. Nuk ka zgjidhje tjetër. Raporti tregon se institucionet kanë marrë fund. Ndodhemi para një momenti kyç. Në më pak se një muaj e gjysmë KE do të vendosë nëse do të hapë apo jo negociatat. Sa shishe janë hapur e janë mbyllur me funksionarë që nuk janë më në Shqipëri. Nuk kanë shans të hapen me një qeveri që nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh ndër të tjera Basha.

Sipas tij, PS dhe Edi Rama duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për situatën në të cilën gjendet vendit.

“Këtu vjen edhe vlera dy e raportit, sepse ka treguar se në Shqipëri nuk ka shtet, s’ka institucione. Nuk janë rrëzuar vetëm KQZ dhe infrastruktura zgjedhore, raporti tregon se këtu ka rënë shteti, drejtësia, gjykatat, është shkelur çdo ligj, janë përfshirë në shkelje dhe përdhunim të ligjit nga kryeministri deri të vëzhguesi më i thjeshtë. Kjo ka ardhur, sepse në Shqipëri ka marrë fund shteti i së drejtës dhe raporti tregon se Rama nuk ka varrosur vetëm zgjedhjet, por edhe shtetin e së drejtës, dhe bashkë me këto ka varrosur edhe ekonominë, e së fundi paratë e shqiptarëve në gropat e oligarkisë dhe krimit të organizuar.

Sot ndeshemi me një shtet privat, kriminal, personal të Ramës, që ka zëvendësuar shtetin e së drejtës. Ndaj prioriteti ynë kryesor është t’i hapim menjëherë fund kësaj gjendjeje, që nis duke vendosur demokracinë. E vetmja rrugë janë zgjedhjet e lira e të ndershme të mbajtura nën kujdesin e një qeveri tranzitore. PS duhet të marrë përgjegjësitë për gjendjen ku e ka katandisur vendin nën drejtimin e Ramës, i cili duhet të largohet për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës. Është koha t’i kthehemi zgjedhjeve të lira e të ndershme”, deklaroi Basha.