Uragani amerikan Palmer

155

Nga Red VARAKU

Për ‘meraklinjtë’ e politikës, Perëndimi i kishte dhënë shenjat, që e kishte braktisur kryeministrin më të korruptuar të historisë së Shqipërisë, Edi Ramën. Shenja e parë ishte emërimi i ambasadores amerikane në Shqipëri në kulmin e krizës pikerisht një ditë para maskaradës zgjedhore të 30 Qershorit. Në datë 29 Qershor, 2019, nga zyra e Presidentit Donald Trump u njoftua vendimi zyrtar për të emëruar Yuri Kim i Guam si ambasadore e jashtëzakonshme dhe e plotfuqishme në Republikën e Shqipërisë. Kjo dëshmonte se Amerikanët kishhin vendosur të ishin më afër zhvillimeve në Shqipëri, në vlerësimin tim, për shkak të krizës së rëndë ku ishte futur Shqipëria si pasojë edhe e mungesës së një ambasadori amerikan.

Ky vendim i Trump erdhi i papritur dhe në një kohë kur situata politike në vend paraqitej mjaft problematike dhe e tensionuar për shkak të mosmarrëveshjeve të palëve. Ky lajm kaloi pa vënë re asokohe, për shkak të pështjellimit që kishte krijuar deklarata e z. Palmer një ditë më parë.

Gjashtë ditë pas emërimit të ambasadores, në datën 5 Korrik, 2019, vjen si rrufe në qiell të pastër deklarata e Znj. Glover, kryetare e OSBE/ ODHIR dhe ‘armike’ e Partisë Demokratike, e cila i konsideroi zgjedhjet si jopluraliste në shkelje të hapur të të drejtave të njeriut.

Ajo deklaroi që në “zgjedhjet e datës 30 Qershor zgjedhësit nuk patën ndonjë mundësi reale për të zgjedhur mes opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki kandidatët garuan pa kundërshtar. Pati pretendime të besueshme nga qytetarët se ishin në presion nga të dyja palët. Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë vendime të administratës zgjedhore u morën duke pasur si objektiv garantimin e këtyre zgjedhjeve”.

Ishte hera e parë pas shumë vitesh, që faktori ndërkombëtar i dilte në krah opozitës dhe sulmonte drejtpërdrejtë qeverinë. Këto ishin dy paralajmërime të forta që gjërat nuk do të ishin më si më parë , por për shkak se Rama e ka kapur të gjithë median, kaluan pa u vënë re nga opinioni publik.

Ndërkohë, menjëherë pas deklaratës zyrtare të KQZ, kemi kemi një angazhim si me buton dhe të koordinuar të gjithë faktorit ndërkombëtar për të zgjidhur krizën e rëndë ku ndodhet vendi.

Dy goditje të forta dhe të njëpasnjëshme nga SHBA dhe BE për Edi Ramën në harkun kohor të 24 orëve janë dëshmi që SHBA dh BE janë hedhur në një sulm të sinkronizuar kundër Ramës dhe për herë të parë pas gjashtë vjetësh faktori ndërkombëtar ka një qëndrim të unifikuar në lidhje me përgjegjësin kryesor të krizës në Shqipëri, zRama.

Ndërkohë, intervista e zotit Palmer mbrëmë, ishte si një uragan që e rrëzoi përfundimisht skeletin e brishtë ku qëndronte ngrehina prej letre e propagandës së Ramës. Ajo i dha fund përfundimisht spekullimeve që amerikanët janë në anën e Ramës, si dhe i dha një goditje të rëndë legjitimitetit të zgjedhjeve të 30 Qeshorit. Në këtë intervistë të z. Palmer, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e fundosën përfundimisht jo vetëm legjitimitetin e z. Rama, por edhe fabulën se ai gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Pas kësaj interviste, për të gjithë ne është e qartë që SHBA-të nuk i njohin zgjedhjet e 30 Qershorit. Pas kësaj interviste është e qartë që Rama nuk e ka më bekimin e amerikanëve dhe europianëve. Përkundrazi, nëse e lexojmë me kujdes deklaratën e SHBA-ve, ata e konsiderojnë atë si problemin kryesor të mosfunksionimit të demokracisë në Shqipëri. Deklaratat paralajmëruese nga Perëndimi, nëpërmjet z. Hahn, për mos hapje të negociatave nëse opozita është jashtë institucioneve dhe në rast se shkarkohet presidenti Ilir Meta, nuk janë vetëm një goditje për Ramën, por janë edhe një mbështetje e hapur për opozitën.

Gjithashtu, sulmi ndaj numrit dy të Partisë Socialiste, z. Dako është një sulm i drejtpërdrejtë mbi legjitimitetin e z. Rama si kryeministër. Sulmi ndaj Dakos, nuk është vetëm një akuzë për funksionimin e drejtësisë, por është një mbështetje e hapur për kauzën e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qëndrimi ndaj z. Dako vërteton akuzat e PD dhe është në një mënyrë, një formë mirëkuptimi i vendimeve ekstreme të opozitës për djegjen e mandateve dhe moshyrjen në zgjedhjet lokale. Kësaj rradhe, është për tu theksuar, që z. Palmer në asnjë moment nuk pëmend opozitën dhe nuk ka asnjë vërejtje për qëndrimet e saj. Në këtë intervistë ai i drejtohet vetëm qeverisë.

Tashmë, pas kësaj interviste, për të gjithë është e qartë ajo që ka ndodhur para 30 Qershorit. Kuptohet, që ishte Rama që e shndërroi me dinakëri 30 qeshorin në një datë të rëndësishme. Ai në vend që të jepte dorëheqje dhe të arrestonte njerëzit e përfshirë në masakrën e zgjedhjeve ai zgjidhi një kurs përplasjeje dhe vëllavrasjeje.I vendosur në cep të ringut nga pergjimet e BILD, në vend që të jepte llogari, ai pabesisht vendosi që 30 qershorin ta shndërronte në një datë lufte vëllavrasëse, për të shmangur llogaridhënien.

Deklarata e z.Palmer, në Qershor u prit me entuziazëm dhe u interpretua gjatë nga opinioni publik si mbështetje për z. Rama. Ajo kapi në befasi shqiptarët dhe vuri në pikëpyetje të madhe reputacionin e Amerikës.

Por ajo në fakt e shpëtoi Shqipërinë nga një përplasje me pasoja shumë të rënda, gati të parikuperueshme. Në emër të shmangjes së një përplasjeje vëllavrasëse SHBA-të ndërhynë për të shmangur situatën, por pas 30 qershorit do të ndërhyjnë edhe më ashpër për të zgjidhur krizën.

Deklarata e z. Palmer dëshmon se amerikanët nuk i harrojnë lehtë, sidomos ata që kërcënojnë me konflikt civil, sepse ata që kanë kërcënuar SHBA me destabilitet kanë pasur gjithmonë dhe do të kenë një fund poshtërues!

Qëndrimi amerikan ka qenë dhe është i qartë! SHBA-të kanë qenë, janë dhe do të mbeten aleatët më të rëndësishëm të popullit shqiptar. Përrallat me rusë, me një drejtësi të cilën e udhëhiqka vetë kryeministri më i korruptuar i Shqipërisë, nuk janë thjesht turp, por një pabesi shumë e madhe ndaj popullit.Intervista e z. Palmer dëshmoi se qëndrimet amerikane në lidhje me Shqipërinë janë të pandryshueshme prej gati një shekulli dhe nuk ka Soros që t’i ndryshojë.