Real Madridi ndryshon mendje për James Rodriguez

74

Real Madridi nuk është më i interesuar ta shesë kolumbianin James Rodriguez gjatë këtij afati kalimtar të verës.

James Rodriguez nuk e ka luajtur asnjë ndeshje me karakter garues për “Los Blancos” që nga sezoni 2016/17, pasi i kaloi dy sezonet e fundit i huazuar te kampioni gjerman, Bayern Munich.

28-vjeçari ka qenë njëri ndër futbollistët që pritej të largoheshin nga “Santiago Bernabeu” këtë verë. Napoli ishte njëri ndër klubet që shprehu interesim për mesfushorin kolumbian.

Mediat spanjolle raportonin se – ngjashëm me Gareth Bale – trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, dëshironte t’i ndante rrugët me Rodriguezin në mënyrë që t’i financojë transferimet e disa lojtarëve të tjerë.

Në fakt, së fundi u raportua se Real Madridi ia kishte ofruar mesfushorin Paris Saint-Germainit si pjesë të një marrëveshjeje për Neymarin. Megjithatë, kjo ofertë u refuzua menjëherë nga kampioni francez.

Ndërsa, tani e përditshmja angleze, Mirror, raporton se Rodriguez do të qëndrojë në kryeqytetin spanjoll, ndërsa edhe COPE Deportes raporton se situatë e futbollistit në Real Madrid ka ndryshuar.

Rodriguezi i ka bërë 111 paraqitje për Real Madridin që kur iu bashkua madrilenëve nga Monaco në vitin 2014. Ai i ndihmoi klubit t’i fitojë dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe një të La Ligës.

Megjithatë, ai nuk gjeti hapësirë në “Santiago Bernabeu” dhe për këtë arsye iu bashkua Bayern Munichut në formë të huazimit për dy sezone, para fillimit të sezonit 2017/18.

Ai i shënoi 15 gola dhe i bëri 20 asiste gjatë dy sezoneve të tij me gjigantin gjerman, mirëpo këtë verë u kthye në Madrid.

Pasi e përfaqësoi vendin e tij në Kupën e Amerikës këtë verë, Rodriguez iu ribashkua skuadrës së Zidanit në fund të korrikut. Mbetet të shihet nëse ai do të udhëtojë me skuadrën për ndeshjen kundër Celta Vigos, që të jetë e para për Real Madridin në sezonin e ri të La Ligës.