Përplasje verbale mes Guardiolës dhe Aguerros, reagimet

101

Një situatë e pakëndshme ka ndodhur gjatë ndeshjes Manchester City-Tottenham Hotspur.
Pep Guardiola ka vendosur të zëvendësojë Sergio Agueron me Gabriel Jesusin në takimin ndaj Tottenhamit.
Megjithatë, ky zëvendësim nuk u prit aspak mirë nga sulmuesi argjentinas.

Duke dalë nga loja, Aguero i pakënaqur vendosi t’i kundërvihet trajnerit katalunas duke pasur një përplasje të ashpër verbale.
Kjo përplasje në mes të sulmuesit argjentinas dhe Guardiolas ndodhi në minutën e 66-të të ndeshjes.

Pep Guardiola, si gjithmonë, ka folur me modesti pas barazimit të Manchester Cityt kundër Tottenham Hotspur (2-2) në kryendeshjen e javës së dytë në Ligën Premier. Kampioni ishte dy herë në avantazh, mirëpo Spursat barazuan në të dyja rastet, derisa një gol i Cityt u anulua në minutat shtesë të ndeshjes.

“Zhvilluam lojë të mrekullueshme kundër ekipit të dytë më të mirë në Evropë, finalistit të Ligës së Kampionëve, prandaj jam shumë krenar”. “Numri i goditjeve që krijuam , ishte mahnitës. Mirëpo, gjithmonë ka rëndësi vetëm rezultati. Do të donim të kishim fituar, sepse djemtë e merituan, por i tillë është futbolli”, ka thënë Guardiola.

Duke e komentuar golin e anuluar të Gabriel Jesus, ai ka thënë: “Deja-vu. Ishte e njëjta! Aksioni i fundit, ne shënuam, ndërsa VAR-i e anuloi. Prandaj, çfarë të them? Herën e dytë, është vështirë, por kështu ndodh. Janë rregullat e reja”.

Trajneri i Tottenham Hotspur, Mauricio Pochettino, nuk e ka fshehur gëzimin pasa barazimit (2-2) ndaj Manchester Cityt në Etihad Stadium. Vendasit shënuan edhe një gol të vonshëm përmes Gabriel Jesus, por që u anulua pas konsultimit të VAR-it, sepse paraprakisht kishte pasur prekje të topit me dorë nga Aymeric Laporte.

“Jam dashuruar me VAR-in! Nganjëherë përfiton. Sot (e shtunë) dhe në Ligën e Kampionëve. Nuk mund ta ndalosh përparimin e teknologjisë”. “Duhet ta pranojmë se po jetojmë në një epokë ndryshe. Sot përfituam ne, por duhet ta pranojmë edhe kur është kundër nesh”. “Ishte një ndjenjë e mrekullueshme, njësoj si ishte edhe në Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Pochettino për Sky Sports.