PD paralajmëron Ramën: Fundi yt dhe i klikës tënde politike do të vijë nga Shkodra!

81

Partia Demokratike, dega Shkodër kanë paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se pavarësisht hakmarrjes që ka nisur kundër Shkodrës, fundi i tij dhe i klikës së tij politike do të vijë pikërisht nga Shkodra.

Në një deklaratë sot, PD shprehet: ”Pas protestave në qytetin e Shkodrës, Edi Rama nuk ngurron as këtë herë të shfaqë urrejtjen që ai ka për Shkodrën e qytetarët e saj.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit përmes degës në Shkodër ka bllokuar funksionimin normal të Bashkisë Shkodër, duke bllokuar kështu fondet për shërbime e investime.

E dimë mirë se sa Edi Rama e do qytetin e Shkodrës, prej faktit që ai prej 6 vitesh qeverisje, në qytetin tonë ka sjellë zëro investime e tani do të bllokojë edhe investimet që bashkia bën me të ardhurat e veta.

Edi Rama në mënyrë të drejtpërdrejtë po i bllokon shërbimet qytetarëve të Shkodrës.

Qytetarët e Shkodrës nuk të kanë asnjë borxh. Ashtu si të gjithë qytetarët e Shqipërisë ato paguajnë taksat dhe për këtë meritojnë shërbimet për të cilat ato vetë po paguajnë.

Çfarëdo që të bësh, duhet ta dish mirë që fundi yt dhe i klikës tënde politike do të vijë nga Shkodra!”