Gjumi ynë i humbur

191

Libra ekspertësh, aplikacione monitorimi të gjumit, kompani që vlerësojnë se kush pushon mirë. Na përsërisin se po të flemë 8 orë radhazi çdo natë është diçka thelbësore për të qenë mirë. Por a është e mundur në shoqërinë ku jetojmë?

Tashmë nuk kalon ditë pa gazeta, televizione dhe uebsajte të mos botojnë lajme për gjumin. Flitet kudo. Na përsëritet vazhdimisht sesa na vlen, se çfarë do të ndodhë në rast se nuk flemë sa duhet dhe sesa i kushtojnë ekonomisë punëtorët e lodhur. Ekspertët e gjumit përhapin këshilla dhe opinione sikur të kishin gjetur gurin e ri filozofik dhe librat për argumentin në fjalë qëndrojnë mirë e bukur në listat e bestsellerave dhe nëpër komodina. Reklamat e dyshekëve nëpër televizione janë gjithnjë e më të shpeshta dhe llogaritet se industria botërore e gjumit këtë vit do të arrijë 76 miliard dollarët. Përveç se na thonë çfarë duhet të hamë dhe sa gjimnastikë duhet të bëjmë, mjetet e informimit na japin udhëzime lidhur me si dhe kur të flemë. Deri disa dekada më parë shqetësimet e gjumit numëroheshin me gishtat e dorën, kurse sot janë më shumë se 70. Shqetësime të reja nënkuptojnë kura të reja, ekspertë të rinj, mundësi të reja fitimi.

Disa kompani të mëdha mburren se kanë adoptuar politika pararojë lidhur me gjumin. Aetna, kolosi amerikan i sigurimeve shëndetësore, me rreth 50000 punonjës, u jep një bonus prej 25 dollarësh në ditë punonjësve që nuk arrijnë të flejnë 7 orë në natë për të paktën 20 ditë radhazi. Nëse të fjeturit është problem, nuk duhet vrarë mendja: ekzistojnë dispozitivë monitorimi të gjumit falë të cilave kush rezulton i etiketuar si i pagjumë merr në telefon një terapi në gjendje që të kthejë një pushim të shëndetshëm. Kur kam nisur ta studio këtë argument disa vite më parë, kam mbetur i goditur nga larmia e madhe e pikëpyetjeve të ngritura nga gjumi dhe nga shpirti i bahskëpunimit që karakterizonte kërkimet e para.

Fiziologë, psikiatër, psikologë, psikanalistë dhe biologë uleshin rreth së njëjtës tryezë duke formuluar hipoteza dhe duke ballafaquar të dhëna. Edhe pse kjo epokë e artë e shkencës së gjumit ka përfunduar në vitet ‘80, deri pak kohë më parë manualet lidhur me argumentin pranonin se motivet për të cilat flemë janë ende një mister dhe se nuk është gjetur një shpjegim shterrues. Sot nuk është më kështu. Gjumi paraqitet si një problem i zgjidhur, si rruga drejt shpëtimit personal. Dikur vendet ku të privilegjuarit shkonin në kërkim të paqes qenë qendrat e mirëqenies. Kurse sot gjumi komercializohet si një vendstrehim personal për secilin prej nesh. Librat për gjumin i premtojnë një pushim rigjenerues kujt ndjek me vëmendje udhëzimet, edhe pse shpesh japin sugjerime klishe. Gjumi është bërë një luks, që e dëshirojmë në mënyrë të dëshpëruar dhe nuk jemi asnjëherë krejtësisht të sigurtë se e posedojmë. Megjithatë, ideja e një blloku unik gjumi të pandërprerë ka shumë të ngjarë të jetë një shpikje e kohëve të fundit.

Historiani amerikan Roger Ekirch thekson se deri në mesin e ‘800 gjumi kishte në përgjithësi një ecuri në dy faza. Qeinet njerëzore kishin një gjumë të parë dhe një të dytë: shkonin për të fjetur rreth orës 21 të mbrëmjes dhe flinin deri në mesnatë, pastaj çoheshin për 1 orë ose 2 dhe shkonin sërish në shtrat deri në mëngjes. Oraret e gjumit të parë dhe të dytë mund të ndryshonin në bazë të momentit historik dhe të vendndodhjes, por struktura me dy faza ishte pakashumë një konstante. Në kulturat e ndryshme dhe sipas orareve kjo ndarje e gjumit interpretohej në mënyra të ndryshme, pikërisht ashti siç ndryshonin aktivitetet që mbushnin intervalin midis dy gjumeve: mund të bëhej seks, të gatuhej, të qepej, të reflektohej lidhur me ëndërrat.

Por nga kultura në kulturë, nga rajoni në rajon, dukej pandryshueshmërisht një dallim midis “gjumit të parë” dhe “gjumit të dytë”, terma të gjetur në nja 30 gjuhë. Nga mesi i ‘800 referimet ndaj dy gjumeve janë zvogëluar, pas blloku i gjumit unik po bëhej norma. Ekirch e lidh fenomenin me shfaqjen e dritës artificiale, kur gazi dhe elektriciteti zëvendësuan llambat me vajguri nëpër rrugët e qyteteve. Drita artificiale ofronte mundësi të reja dhe i shtynte njerëzit që të shkonin të flinin më vonë. Ekirch shqyrton edhe aspektet sociale dhe ekonomike: ndryshimet në mënyrën e kuptimit të punës, shfaqja e orareve dhe turneve nëpër fabrika, teknologjitë e reja dhe efketet e tyre mbi proceset e prodhimit, koncepti i menaxhimit të kohës dhe ideja e “një etike” të punës e përshtatur kapitalizmit industrial. Të gjithë këta faktore kontribuan në krijimin e një modeli gjumi në një fazë unike. Sipas Ekirch, një proces biologjik u ndryshua prej një ndryshimi social.

Ideal i paarritshëm

Sot këto teza janë vënë në diskutim, por është e qartë se në të kaluarën gjumi i pandërprerë nuk konsiderohej problem. Kur zgjohemi natës, ndoshta duhet të ngushëllohemi se për shekuj me radhë gjumi me dy faza ka qenë norma dhe jo përjashtimi. Hëm, mund ta provojmë, por do të ndesheshim me zjarrin e pandalshëm të shpurës së specialistëve të gjumit, të gatshëm që të na kërcënojnë me vdekje të parakohshme në rast se nuk flemë shumë orë radhazi. Si të menaxhohet dhe të durohet një natë gjumi të çrregullt kur e dimë se të fjeturit na mbron nga tumoret e nga demenca dhe na bën më të lumtur, me më pak ankth dhe më pak depresivë? A nuk do të kishte edhe frika nga të mosfjeturit efekte negative mbi gjumin? Sjelljet e ndryshme individuale dhe ndryshimet e zakoneve nocturne sot paraqiten si rreziqe dhe “shkenca” thirret vazhdimisht në skenë për të përcaktuar se çfarë bëjmë drejtë e çfarë bëjmë gabim kur bëhet fjalë për të fjeturit. Gjumi është bërë objekti i parë i analizës tonë ditore.

Zgjohemi jo vetëm për t’u preokupuar për detyrat që duhet të kryejmë gjatë ditës, por parasëgjithash për të pyetur nëse kemi fjetur sa duhet dhe pastaj, pashmangshmërisht, të alarmuar për dështimin tonë. Librat e rinj me këshilla për gjumin përfitojnë nga ndjenjat e fajit. Kur jemi të zgjuar në krevat gjatë natës, mendimet tona shpesh tentojnë që të përqëndrohen mbi atë që nuk kemi bërë, që nuk kemi arritur të bëjmë apo që nuk e kemi përfunduar. Mëkatet e pranimit zmadhohen dhe moslarja e dhëmbëve apo e fytyrës mund të duken si katastrofë. Për shekuj të tërë momenti që i paraprin gjumit konsiderohet një kohë pastrimi shpirtëror, në të cilën të pendohesh për mëkatet e tua. Gjumi bëhej kështu shpërblimi për kë ishte sjellë si kristian i mirë, duke nxjerrë në pah lidhjen midis gjumit dhe vetëdijes. Por, kur jemi në shtrat, mëkatet tona të përditshme zmadhohen.

Gjërat e lëna pezull gjatë ditës na mbajnë zgjuar dhe shërbejnë si magnet për problemet më të thella të vetëdijes dhe të fajit. Këmbëngulja mbi gjumin e përkryer dhe transformimi i tij në një objektiv të arritshëm nuk bën gjë tjetër veçse na ushqen ndjesinë që mosarritja është dështim. E vërtetë se ndërprerjet e gjumit mund t’i bëjnë keq shëndetit, por këmbëngulja mbi një ideal të paarritshëm mund të jetë po aq e dëmshme. Askush nuk ka provuar ndonjëherë të masë se çfarë provohet kur luftohet për të fjetur gjumë dhe askush nuk mban parasysh efektet e ndjesisë pasuese të dështimit. Është mjaft ndriçuese në këtë aspekt të konfrontosh librat më popullorë për gjumin e viteve ’60 e ’70 me ata të sotmit.

Në fillim të “The Sleeping Pill”, një libër i vitit 1978, Ernest Hartmann shkruan: “Në një masë të caktuar, jeta është dhimbje dhe trishtim”. Kurse më 2017, tek “Why We Sleep”, Matthew Walker e paraqet Homo Sapiensin si një lloj kampioni midis kafshëve, të cilit gjumi i dhuron fuqi të jashtëzakonshme racionaliteti dhe kreativiteti. Gjumi rem ka ndihmuar “ngritjen e shpeshtë evolutive në pushtet” të qenieve njerëzore dhe ka kontribuar që të bëhemi “një superklasë sociale dominuese në nivel global”.

“Gjumi”, vëren Walker, “rikalibron qarqet tona emocionale trunore, duke na mundësuar të përballojmë impenjimet sociale e psikologjike të ditës tjetër me përmbajtje racionale”. “Insomnia”, studimi i votuar më 1969 nga Gay Gaer Luce dhe Julius Segal hapet me shprehjen: “Ka vetëm një mënyrë të vetme të sigurtë për të shmangur pagjumësinë… moslindja”. Në literaturën e re gjumi nuk ka vend për shkëputjen dhe veçimin njerëzor. Sot mund të lexojmë se gjumi na ka ndihmuar që të krijojmë “komunitete emocionalisht dinake, të qëndrueshme, fuqimisht të lidhur dhe intensivisht sociale”, një përshkrim që nuk korrespondon saktësisht me atë që shikojmë në lajmet televizive apo që kemi mësuar nga historia. Si është e mundur që lavjerrësi është spostuar kaq dukshëm nga një vizion realist i kompleksiteteve të ekzistencës në një lloj bote fantastike?

Aspiratë për t’u bërë “individë që flenë mirë” është një prej tentativave të ndryshme për t’i paraqitur problemet sociale si probleme individuale. Literature e re gjumit po kërkon që të vërë në veprim një depolitizim gjigantesk të gjumit. Në vitet ’80 në Mbretërinë e Bashkuar thatcherizmi donte t’i atomizonte problemet sociale duke i paraqitur si probleme personale: për shembull, të qënit i papunë u bë të qënit i paaftë për të gjetur një punë. Pabarazitë dhe varfërimi u paraqitën si dështime individuale, duke e spostuar përgjegjësinë nga qeveria tek psikika e njerëzve. Këto teza përputheshin në mënyrë të përkryer me kategorinë e re klinike të depresionit. Në vitet ’90 mjetet e informimit qenë plot me lajme për depresionin; mbi mënyrën sesi mungesa e e serotoninës na bënte depresivë, mbi atë sesa gjithçka i bënte keq shëndetit dhe mbi atë sesa punëtorët depresivë e dëmtonin ekonominë. Sot nuk i vihet faji depresionit, por privimit të gjumit. Ankthi, trishtimi dhe dështimi paraqiten si pasojë e gjumit rigjenerues. Në vend që ta konsiderojmë pagjumësinë si pasojën e një gjendje depresive, raporti shkak/efekt përmbyset: jemi depresivë sepse nuk flemë.

Walker individualizon kategori të ndryshme njerëzish, duke theksuar se kush fle është racional, ndërsa kush fle keq është iracional dhe deri i çartur. Punëtorët që nuk flenë, thekson ai, janë jo vetëm më pak produktivë, por janë edhe “më pak etikë”, kanë një tendencë më të madhe për të qenë “të çartur dhe më të prirur të gënjejnë”, duke ua veshur të tjerëve fajin për gabimet e tyre dhe duke ua marrë të tjerëve meritën e punës. Kështu, Walker i ndan qeniet njerëzore në “normalë” dhe “socialisht anormalë”. Përshkrimi i tij për njerëzit me gjumë të shqetësuar mund t’i aplikohet pjesës më të madhe të individëve që formojnë shoqërinë e sotme urbane.

Në vend që të njohin efektet e vështirësive social – ekonomike dhe të vuajtjes që buron prej tyre, vështirësitë njerëzore ripërkufizohen nëpërmjet optikës së re të gjumit të pandërprerë. Kompanitë farmaceutike investojnë në reclama për të na thënë se mund të vuajmë nga një shetësim i gjumit dhe, për pasojë, se kemi nevojë për ilaçe nëqoftëse nuk flemë sa duhet, në rast se na mungon energjia për të bërë atë që duhet të bëjmë, si ta kalojmë kohën me familjen apo të bëjmë punën tonë, ose nëqoftëse ndjehemi mendërisht dhe fizikisht të lodhur, nëqoftëse nuk jemi të motivuar dhe mezi përqëndrohemi. Megjithatë, siç nënvizon antropologu Matthew Wolf-Meyer, a nuk janë këto vetë kushtet e jetës moderne?

Nuk duhet ta injorojmë problemin e pagjumësisë, por duhet të jemi më të vetëdijshëm për faktin se konceptimi ynë për gjumin kushtëzohet nga shoqëria. Shkenca nuk i ka zgjidhur të gjitha misteret e gjumit dhe shumë teza dominuese në literaturën e sotme duhen marrë me maturi. Shpesh përmbajnë gabime faktike apo paraqesin hipoteza teorike si fakte të pranuara. Është rasti i teorisë së seleksionimit natyral nokturn. Sipas kësaj hipoteze, teksa flemë, truri unë kërkon që t’i “reduktojë” informacionet e panevojshme dhe të “forcojë” ruajtjen e atyre të dobishme. Walker thekson deri nevojën e fshirjes së kujtimeve dhe shpreson që të “zhvillohen metoda të sakta për të theksuar apo fshirë selektivisht disa kujtime nga kujtesa e një individi kur ekziston një nevojë klinike e konfirmuar”. Kjo lloj higjene sjelljeje është në qendër të shumë fantazive orwelliane. Nuk është rastësi që ideja e fshirjes së kujtimeve mbizotëron sot të gjitha vizionet e errëta e së ardhmes.

Një dhimbje për t’u zbuluar

Industria e gjumit duhet të përballet me realitetin. Edhe pse shumë prej nesh kanë probleme personale me gjumin, kjo nuk duhet të përbëjë pretekst për ta shkëputur vëmendjen nga plani politik. Jetojmë në një botë të karakterizuar nga përkohshmëria e punës, nga spostime të gjata të përditshme, nga pasiguria ekonomike dhe nga nevoja për të projektuar me çdo kusht një imazh pozitiv të vetes. Si mund të shpresohet që njerëzit të flenë mirë? Sigurisht, pagjumësia është një problem, por të gjitha aspektet e saj duhet të njihen dhe të zbulohen.

“Insomniac”, një libër therës dhe brilant i bptuar nga Gayle Greene më 2008, përshkruan jo vetëm eksplorimin e tij për kërkimet lidhur me gjumin, por edhe tentativat e tij të dështuara për t’ju nënshtruar trajtimeve dhe terapive. Qasja e sinqertë, argëtuese dhe e paanshmë është një antidot i përkryer ndaj higjenës së re të gjumit dhe mund të jetë shumë i dobishëm për kë nuk arrin të flejë. “Gjumi është qënia me e pafajshme që mund të jetë”, shkruante Kafka, “dhe njeriu i pagjumë është më fajtori”.

Kur ekspertët e gjumit paguhen nga bankat dhe nga shumëkombëshet për t’u mbajtur seminare menaxherëve të tyre sesi të flenë më mirë, atëhere duhet të pyesim se çfarë u ndodh punëtorëve të niveleve më të ulëta dhe krahut të punës të jashtëm që mbështet rritjen e kësaj kompanie. Ka gjithmonë një lidhje, nëpërmjet letërsisë, religjionit dhe psikologjisë, midis gjumit dhe vetëdijes. Paradoksi është se sa më shumë bota rreth nesh na kërkon vëmendje në shumë nivele, aq më shumë e shohim veten duke pësuar presione për arritjen e 8 orëve të gjumit të pandërprerë. Kjo është ideologji në gjendjen e pastër dhe ka ardhur momenti që të zgjohemi.

(Darian Leader për The Guardian)

Përgatiti

ARMIN TIRANA