Do vendosen stola betoni dhe kioska, Fusha e Veliaj shkepin sërish bulevardin, bllokohet trafiku

120

Gerard GEGA

Bashkia Tiranë devijoi sot trafikun në Bulevardin Zogu I, pasi kompania Fusha shpk nisi rindërtimin e tij.
Sikurse Exit.al lajmëroi në muajin mars, Fusha shpk do të rindërtojë 600 metrat e bulevardit nga Sheshi Skënderbej deri në fund të ish-Stacionit të Trenit, me një kosto prej rreth 5 milionë eurosh.

Punimet parashikohen të zgjasin 18 muaj dhe pritet të përfundojnë në shkurt të vitit 2021. Bashkia ka njoftuar se gjatë kësaj periudhe në Bulevardin Zogu I do të ketë qarkullim të kufizuar. Sipas njoftimit të shpërndarë në media, kufizimet do të bëhen sipas një plani punimesh të ndarë në katër faza.

Lëvizja e automjeteve do të kufizohet në vetëm njërin krah bulevardit.
Nuk është e qartë se si do të veprohet për të menaxhuar trafikun, por Bashkia siguron vetëm se gjatë kësaj periudhe hyrja në Maternitetin Mbretëresha Geraldinë nuk do të bllokohet.

Katër fazat e kufizimit të qarkullimit në Bulevardin Zogu I.
Bashkia nuk ka përmendur si do të veprohet për hyrjen në Universitetin e Shkencave të Natyrës, Ministrinë e Drejtësisë, apo me 4 linjat e transportit urban që kalojnë në këtë segment rrugor: Tirana e Re; Selitë-Kristal-Qendër-Stacioni i Trenit-Allias; TEG-Sauk i Vjetër-Kopshti Zoologjik-Ish-Stacioni i Trenit; Ish-Stacioni i Trenit-Qendër-Sauk i ri/Sauk i Vjetër/Senatorium-TEG.

Në vitin 2016 Bashkia Tiranë nisi punimet për ta kthyer sheshin Skënderbej në pedonale dhe parking nëntokësor. Gjatë dhe pas punimeve trafiku për në qendër ka qenë vazhdimisht kaotik edhe pse bulevardi “Zogu I” ka qenë i pa-kufizuar për automjetet.
Madje për zgjidhjen e këtij problemi që krijoi sheshi i ri, Erion Veliaj premtoi në fushatë tunel poshtë parkut Rinia.

Kështu me kufizimin e lëvizjeve nga bulevardi, trafiku në qendër pritet të rëndohet edhe më shumë.
Makina duke u kthyer në sens të kundërt pas bllokimit të Bulevardit.

Projekti i rindërtimit të bulevardit nga qendra te ish-Stacioni i Trenit është bërë nga studioja “iRI” që është në pronësi të firmës 51N4E – kliente kryesore e Kryeministrit Rama, projektuese gjithashtu e Sheshit Skënderbej, të cilën e ndërtoi po kompania Fusha shpk.

Bulevardi “Zogu I” është rindërtuar më parë në vitin 2006 kur në krye të Bashkisë Tiranë ishte Edi Rama, sot Kryeministër.
Dy vite më parë, kryebashkiaku aktual Erion Veliaj ktheu në korsi bicikletash trotuarin mes bulevardit.