Basha: Aleatët tanë të NATO-s po përballen me ringjalljen në Shqipëri të praktikave që s’janë tipare as të BE e as të SHBA. Në shtator vijojmë betejën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se, aleatët tanë të NATO-s po përballen me ringjalljen në Shqipëri të praktikave që s’janë tipare as të BE, e as të SHBA. Në shtator vijojmë betejën të bindim të gjithë faktorët për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore.

“Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s. Por s’i kishte shkuar mendja asnjë anëtari të NATO-s se rotacioni do të prodhonte një qeveri kaq të keqe që do të rikthente probleme të varrosura dhe do t’i shumëfishonte ato. Ky është problemi që kanë sot aleatët tanë, që papritur në një vend, i cili është anëtar i NATO-s, është kandidat zyrtar për anëtarësim në BE, shfaqen tipare të një qeverisjeje që nuk kanë të bëjnë fare as me Evropën e as me NATO-n, që prodhon papunësi, që prodhon stanjacion, që shkatërron mundësitë e njerëzve të thjeshtë, për t’i dhënë gjithë pushtetin, gjithë pasuritë, gjithë mundësitë Edi Ramës dhe një grushti oborrtarësh të tij. Kjo ka ndodhur për një arsye shumë të thjeshtë, sepse është shkatërruar themeli i bashkëjetesës demokratike, që janë zgjedhjet e lira, sepse gjithçka fillon tek zgjedhjet e lira.

Me zgjedhje do mundet edhe Edi Rama, por çështja është tu garantohet shqiptarëve liria e zgjedhjes. Beteja për tu garantuar shqiptarëve votën e lirë është betejë edhe për nesër, nuk është betejë të ikë tani Edi Rama e të vij unë apo një tjetër. Nëse nuk e bëjmë këtë betejë, dhe në parlamentin e ardhshëm vijnë prapë elementë kriminalë apo të lidhur me botën e krimit, edhe qeveria e ardhshme do t’u shërbejë kriminelevë dhe jo shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Pyetje: Zoti Basha, çfarë do bëni në shtator?

Basha: Shtatori po vjen, do të vazhdojmë betejën tonë, me të gjitha format dhe mënyrat.

Pyetje: Duke iu gëzuar 85 %?

Basha: Duke bindur çdo faktor se rruga përpara është ajo e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore, duke bashkuar të gjithë shqiptarët e ndershëm në një betejë që shkon përtej sinoreve politike të opozitës, por shkon drejtpërdrejt tek pragu i shtëpisë së çdo shqiptari.