Balla: Organizata jonë ka kritere të forta, e verifikuam Pjetrin dhe…

191

Balla i Ramës ka reaguar menjëherë pas publikimit nga PD të dokumentave ku provohet se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali nga Gjykata e Firencës për trafikim droge. “Organizata jonë ka kryer verifikimet e dokumentacionit të Pjetrit dhe vendosëm ta kandidojmë”, thotë Balla duke pohuar kështu se ka qenë në dijeni të dënimit për trafik droge të të emëruarit të Ramës si Kryetar Bashkie në Shkodër.

Ashtu sikurse e pohon edhe vetë Balla vetëm një organizatë kriminale mund të vendosë të emërojë si Kryebashkiak një të dënuar për trafik droge në Itali, i cili sikurse pohon vetë Balla ja ka vënë në dispozicion dokumentacionin Ramës. Në një postim në “Facebook”, Balla shkruan se Partia Socialiste ka përcaktuar qartë një vijë të kuqe, për të gjithë anëtarët e saj dhe se kjo vijë e kuqe nuk përjashton askënd.

Ai shprehet se ‘pavarësisht opinionit tonë mbi qasjen destruktive dhe gjuhën baltosëse, që karakterizojnë sjelljen publike të Partisë Demokratike, ky rast konkret është një nga ato raste, kur politika duhet t’i referohet vetëm ligjit’.

“E vërteta mbi këtë rast, s’mund të zgjidhet sipas preferencës apo interesit politik. Ajo duhet të zbardhet deri në fund përmes rrugës së përcaktuar qartësisht në ligj”, thekson Balla.

Ndërsa referuar dokumenteve dhe akuzave të tjera të PD ku përfshihen burime të ashtuquajtura “diplomatike” ai thekson se është tërësisht e pavërtetë dhe do t’i referohet gjykatës, në formën e padisë njësoj si për shpifje të tjera.

DEKLARATA E BALLËS
I kemi ndjekur në vazhdim prononcimet e Partisë Demokratike, mbi pretendimin se Kryetari i Zgjedhur i Bashkisë Shkodër, është subjekt i Ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në raport me ligjin e me drejtësinë dhe pa diskutim edhe me këtë aspekt specifik të legjislacionit shqiptar, lidhur me pastërtinë e figurave që ushtrojnë funksione publike, Partia Socialiste ka përcaktuar qartë një vijë të kuqe, për të gjithë anëtarët e saj. Kjo vijë e kuqe nuk përjashton askënd, që nga Kryetari i Partisë deri tek anëtari i thjeshtë.

Për Partinë Socialiste të gjithë janë të barabartë para ligjit, askush nuk është mbi ligjin dhe ligji është mbi çdo individ dhe interes politik.

Pavarësisht opinionit tonë mbi qasjen destruktive dhe gjuhën baltosëse, që karakterizojnë sjelljen publike të Partisë Demokratike, ky rast konkret është një nga ato raste, kur politika duhet t’i referohet vetëm ligjit. E vërteta mbi këtë rast, s’mund të zgjidhet sipas preferencës apo interesit politik. Ajo duhet të zbardhet deri në fund përmes rrugës së përcaktuar qartësisht në ligj.

Ne e përshëndesim faktin se Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, janë vënë në lëvizje, duke kërkuar zyrtarisht informacionin përkatës pranë autoriteteve italiane, qysh në momentin e parë të shfaqjes së këtij pretendimi, lidhur me pastërtinë e figurës së Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri.

Për Partinë Socialiste, qoftë pretendimet e opozitës jashtëparlamentare, qoftë sqarimet e dhëna nga Valdrini, përshirë edhe publikimin e dokumentacionit përkatës nga Italia (të vënë më parë në dispozicon prej tij, kur ne kemi kryer si për çdo kandidaturë të gjitha verifikimet ligjore që mundëson statusi ligjor i organizatës sonë) nuk mjaftojnë.

Me këtë rast, hedhim poshtë me neveri akuzat lidhur me ndonjë marrje në dijeni, nga burime të ashtuquajtura “diplomatike” apo të çfarëdolloji tjetër, mbi pretendimin e Partisë Demokratike. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe do t’i referohet gjykatës, në formën e padisë njësoj si për shpifje të tjera.

Dihet botërisht tanimë se në çdo rast, kur mes palëve politike përfshihen institucionet ligjzbatuese dhe kur bëhet fjalë për raportin e individit me ligjin, Partia Socaliste nuk investohet në asnjë debat, përpara se sa institucionet të thonë fjalën e tyre.
Konkretisht, akuza e ngritur ndaj Valdrin Pjetrit, me një pretendim të bazuar në dokumente joligjore nga ana e Partisë Demokratike, nuk mjafton as për t’u pranuar apriori, as për t’u rrëzuar apriori.

Përtej dëshirës sonë që e drejta të jetë në anën e tij, Partia Socialiste garanton opinionin publik dhe komunitetin e nderuar të Bashkisë së Shkodrës, se përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, do të qëndrojë edhe në këtë rast në anën e ligjit dhe të interesit publik.