“Asgjë nuk ndryshon deri sa të largohet Rama”

137

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas vendimit të Valdrin Pjetrit për t’u dorëhequr nga posti i kryebashkiakut. Basha shkruan në “Twitter” se largimi i Pjetrit do të thotë “një kriminel më pak në politikë”.

Sipas kreut të opozitës, asgjë nuk ndryshon deri sa të largohet Edi Rama, që sipas tij, është koka e krimit politik.
“Një kriminel më pak në politikë; një uzurpator më pak në pushtetin vendor. Asgjë nuk ndryshon deri sa të largojmë Edi Ramën, kokën e krimit politik”, shkruan Basha.

Valdrin Pjetri, ka njoftuar vendimin për të mos pranuar marrjen e detyrës, pas publikimit nga ana e Partisë Demokratike e dokumenteve që dëshmonin arrestimin për trafik droge, dënimin me 18 muaj burg dhe dëbimin e tij nga Italia.

Në një postim në llogarinë e tij personale në “Facebook”, ku tregon edhe arsyet që e kanë shtrënguar në marrjen e këtij vendimi, Pjetri shkruan se akuzat e ngritura nga PD-ja i referohen një ngjarjeje banale të ndodhur 17 vjet më parë mes miqve të tij bashkëstudentë në Firenze.