Zoti i dashtë ata që mbrojnë Teatrin nga mamuthi Rama!

55

Koço Kokëdhima ka qenë ndër politikanët e parë, i cili në emër të partisë që drejton, “Zgjidha”, por edhe personalisht i është bashkuar lëvizjes për mbrojtjen e Teatrit Kombëtarë që në ditët e para të saj, më shumë se një vit më parë. Nëpërmjet një shënimi në faqen e tij zyrtare, Kokëdhima, ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, shqiptarëve dhe njëkohësisht anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë “Zgjidhja”, që të bashkohen në mbrojtjen e Teatrit në këto ditë kur Rama në mënyrë të pabesë, ka nisur konkretisht aksionin për prishjen e tij.

“Ata tashmë kanë hyrë në histori si protestuesit më epikë. Kanë më shumë se 1 vit që qëndrojnë përpara Teatrit Kombëtar, për të mos lejuar prishjen dhe grabitjen e tokës së tij nga mamuthi dhe oborrtarët.

U bënë disa ditë që ‘Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar’, e mbështetur nga qytetarët qëndron 24 orë, në mbrojtje të një nga pasurive të fundit publike të kryeqytetit me vlera historike dhe shpirtërore. Kjo pas aksionit të fundit dhe të pabesë të qeverisë dhe bashkisë, për ta zbrazur dhe çmontuar atë nga brenda. Edhe mbrëmë për gjatë gjithë natës ky grup ka qëndrua roje në mbrojtje të asaj pak pasurie, që i ka mbetur qytetarëve të kryeqytetit. Një nga aktivistet më qëndrestare të kësaj proteste, Elona Caslli, me këtë rast ka hedhur në faqen e saj në Facebook, edhe disa fotografi që tregojnë pasazhe nga “barrikada” e mbrëmshme në mbrojtje të Teatrit.

Njëra prej tyre mund të quhet pa mëdyshje: FOTO E DITËS!

Një grua në moshë, besimtare myslimane, shfaqet në agun e kësaj dite e ulur në një stol në sheshin e Teatrit, duke u lutur pas një nate të gjatë.
“Allahu na dashtë, do të ishte urimi i gruas myslimane pas një nate të kaluar në sheshin e Teatrit Kombëtar dhe agut të një ditë të re”, shkruan Elona Caslli për këtë nënë besimtare, që u është bashkuar artistëve dhe qytetarëve të Tiranës kundër makutërisë së pushtetit.

Së bashku me këtë nënë ka qenë edhe besimtarja tjetër, Smeralda Çaça, e cila çdo natë u shpie protestuesve ëmbëlsira dhe petulla.
“Në orën 3 të mëngjesit një shpirt, një frymë si Smeralda Çaça sjell petulla dhe ëmbëlsira për protestuesit. Post Scriptum – Kjo është dashuria; ky është njeriu”, është dedikimi që Caslli i bën fotografisë ku ka dalë së bashku më Smeraldën.

Ne si “Zgjidhja”, ashtu siç i kemi përkrahur artistët që në ditët e para të protestës, vazhdojmë që të jemi në krah të kauzës së tyre. Sepse ata nuk po mbrojnë thjesht një godinë dhe as tokën, të cilën kërkojnë që ta rrëmbejnë me ligje “speciale” Rama dhe Veliaj.
Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë, simpatizantëve dhe anëtarëve të partisë “Zgjidhja”, që t’i bashkohen pa mëdyshje kësaj proteste.

Nuk është thjesht betejë për një Teatër, por për lirinë, të drejtat e qytetarëve, dinjitetin, trashëgiminë dhe identitetin tonë kombëtar!”, shkruan ditën e sotme Kokëdhima në mbrojtje dhe përkrahje të Teatrit.