Patozi i bindur, e çon deri në fund shërbimin ndaj Ramës!

I gjithë shteti u vu në lëvizje. Pushteti nuk la gurë pa lëvizur, që në orët e fundit të përfundimit të afatit të regjistrimit të partive në Gjykatë dhe më pas edhe në KQZ, të sillte një krijesë të saj. Bindja Demokratike u quajt, me drejtues Astrit Patozin, ish-Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, qejfmbetur deri në urrejtje pasi nuk u përfshi në listat e deputetëve në zgjedhjet e vitit 2017.

Kur e gjithë opozita zyrtare braktisi procesin në grup për zgjedhjet lokale, Ramës i duhej një subjekt që të quhej gjoja opozitë dhe aty u vetëofrua me “çmimin tavan”, Patozi, tashmë i rilindur. Aq absurde ishte e gjithë kjo fushatë sa edhe firmat për krijimin e partisë u falsifikuan, të paktën sipas disa personazheve që ngritën pretendimin se nuk kishin firmosur për krijimin e këtij subjekti, por panë që emri i tyre u doli në listë.

Gjithashtu pushteti në këtë marrinë të orëve të fundit, për të emëruar opozitë, kishte një “mik të fortë” në KQZ, një farë Denar-Denar…, që nuk lë “tren Rilindje” pa i hipur, sepse ai është gjithnjë në stacionin e pushtetit të Rilindjes, ndaj subjekti politik mori formë zyrtare.

Por a i legjitimon Patozi votimet e 30 qershorit? As që mund të çohet në mendje diçka e tillë, por në pjesën procedurale, ai po vë sërish një tullë në “kalanë bunker” të pushtetit absolut të Ramës. Me një kredo morale dhe politike mëse të cunguar, kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi tha se zgjedhjet (votimet) ishin të cunguara dhe manipuluara

“Ne nuk patëm mundësi të konkurronim në 61 bashkitë e vendit me këshilltarë, pasi në 20 prej tyre listat tona u rrëzuan arbitrarisht nga KQZ-ja dhe KZAZ-të socialiste, me pretendimin aspak ligjor se duhet të ishin me numrin e plotë të këshilltarëve”, shprehet Patozi.

Sipas tij, aspekti më i rëndë i këtyre zgjedhjeve ishte mospranimi nga KQZ që Bindja të kishte një sy në administrimin e zgjedhjeve,

“Ndaj ne vendosëm t’i ankimojmë këto zgjedhje, sepse mendojmë që ato u drejtuan dhe administruan keq vetëm nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët, me sa duket, nuk hoqën dorë nga vesi i vjetër i tjetërsimit të votës”, argumenton Patozi.

Janë paraqitur 41 ankimime për parregullsi në zgjedhje nga Bindja Demokratike. Por kjo është sërish një lojë, një farsë e madhe, që në çdo rast mbetet mbështetje për Edi Ramën dhe për të legjitimuar një proces që vetëm zgjedhje nuk mund të quhen. Duke bërë ankimim në KQZ, ata e kanë të sigurt se çdo kërkesë do të rrëzohet, ku katër anëtarët e PS-së në komisionin epror të administrimit të zgjedhjeve do të votojnë kundër.

Patozi po i bindet deri në fund Ramës me “Bindjen” e tij, pasi po ndjek rrugën institucionale për çështjen e 30 qershorit. Vetëm në këtë mënyrë sigurohet një lloj legjitimiteti mëse absurd, por sa për të qenë në rregull me letra. Nëser Rama do thotë: “Ishte një proces me konkurrim, Bindja Demokratike paraqiti ankesat dhe ishin institucionet që u shprehën”.

Sigurisht këtu nuk mund të lërë pa dhënë vulën e saj të turpit edhe Kolegji Zgjedhor. Tashmë është e qartë që pasi pretendimet e “Bindjes Demokratike” të rrëzohen në KQZ, çështja do të përfundojë në Kolegjin Zgjedhor. A do ketë surpriza? Me siguri që jo, ushtarët e bindur të Rilindjes po përdorin deri në fund “Bindjen” e Patozit për të tentuar legjitimimin edhe në anën procedurale të një procesi të dështuar që në nisje. Por faqja e “nxirë” e një subjekti politik do të sterrohet edhe më shumë. Ndoshta ky ishte pakti “Titi-Edi”, që në fillim. /Boldnews.al

bindja patozi

patozi