Meta tjetër mesazh Ramës rrugës për në Tropojë…

Presidenti Ilir Meta i është rikthyer sërish diskutimit të “Ramaformës”, term që e përkufizoi me kapjen e reformës së drejtësi nga kryeministri.

Në një postim në Facebook, Meta shpërndan edhe një artikull, që sipas tij, ndihmon për të kuptuar si funksionon shndërrimi i Reformës Historike të Drejtësisë të 21-22 korrikut në Ramaformë.

Reagimi i Presidentit Meta

Mirëdita të dashur miq!

Duke udhëtuar drejt Tropojës sapo përfundova leximin e shtypit për sot. Ndaj ju ftoj edhe ju që të lexoni me vëmendje një shkrim i cili ndihmon për të kuptuar si funksionon shndërrimi i Reformës Historike të Drejtësisë të 21-22 korrikut në Ramaformë.

Më vonë, kur të jem më i lirë që të shkruaj me terezi do kënaqeni kur t’ju tregoj se pse sot pas tre vitesh nuk keni asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Askush më mirë se unë nuk ua tregon dot, jo se jam ndonjë tregimtar i madh, por për shkak të detyrave të larta edhe si ish-Kryetar i Kuvendit e si President i Republikës.

Të jeni të sigurt se fajin nuk e ka Reforma e bërë me 140 vota në Kuvend tre vjet më parë, por transformimi i saj në Ramaformë bashkë me një kor të strukturuar ndërkombëtar që nuk do të pranojë bashkëfajësinë për këtë dështim që po e vuajnë qytetarët, ekonomia dhe biznesi.

Shpresoj që këto “arritje” të Ramaformës të mos i mësojnë Profesorët e nderuar të Komisionit Venecias, të paktën gjatë verës, se më e pakta do kalojnë në gjendje të fikti, përveçse s’do e kuptojnë kurrë pse duhet të punonin e studionin për mëse një vit me intensitet aq të lartë e të vinin e të iknin shumë herë kur këtë Ramaformë mund ta kishte mbyllur z. Agaçi për një javë dhe disa miq të inamoruar pas reformës të brohorisnin “È buono per l’Albania”.

E di që disa do thonë se kam frikë nga Reforma në Drejtësi e sidomos nga Spaku. Pa merak për të gjithë sepse sapo kalova edhe Spaçin. Kalofshi bukur sot të gjithë.

Artikulli i shpërndarë nga Meta

Gjykata e Lartë drejt uzurpimit nga Kryeministri

Ajo që po ndodhë këto ditë me reformën në drejtësi është shfaqja më e qartë se ky proces formalisht ka miratimin e ndërkombëtarëve, ndërsa hartuesit dhe zbatuesit e saj janë vetëm përfaqësuesit e qeverisë “Rama”.

Për të justifikuar gjithë krizën politike dhe ngërçin që ka krijuar me zhbërjen e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama u ka premtuar ambasadorëve se do t’i ngrejë të dy këto institucione në kohë rekord, duke zbatuar sa më shpejt ligjet.

Termi “zbatim i ligjeve” është vetëm një mashtrim ndaj ndërkombëtarëve, sepse qeveria, juristët e PS dhe një pjesë të ekspertëve të reformës në drejtës, po i modifikojnë dhe shkelin ligjet që janë miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës tre vjet më parë. E thënë thjesht, qeveria “Rama” po i zbaton ligjet e reformës në drejtësi duke shpikur skema të reja, të cilat jo vetëm nuk garantojnë pavarësinë që duan ndërkombëtarët, por e kapin përfundimisht drejtësinë nga një grup njerëzish në Partinë Socialiste.

Rasti më flagrant është mënyra anti-ligjore me të cilën po tentohet të ngrihet Gjykata e Lartë. Institucioni më i rëndësishëm i drejtësisë sot ka mbetur vetëm me dy anëtarë dhe nuk merr dot asnjë vendim. Në këtë gjykatë janë gati 32 mijë dosje që presin radhën për gjykim dhe vonesat dëmtojnë direkt qytetarët shqiptarë.

Bile nga kjo vonesë po përfitojnë disa banda kriminale të rrezikshme. Për shkak se në tre vjet qeveria dhe institucionet e pavarura që kanë marrë përsipër zbatimin e reformës në drejtësi nuk kanë bërë asgjë që kjo gjykatë të plotësohej me gjyqtarë me integritet, nën presionin e ndërkombëtarëve për rezultate, kanë gjetur një skemë të re anti-ligjore. Konkretisht propozimi më i fundit kërkon që meqënëse procesi i vetingut dhe kandidaturat për këtë gjykatë po vonohet pa afat, Gjykata e Lartë duhet të plotësohet me gjyqtarë të përkohshëm.

Pra, gjyqtarë të Apelit ose gjykatave të tjera që nuk do të zgjidhen në Gjykatën e Lartë sipas ligjeve të reformës dhe Kushtetutës, por do të delegohen! Do të kryejnë të njëjtat funksione si anëtarët e rregullt të Gjykatës së Lartë, vetëm se do të jenë të “deleguar” dhe jo të zgjedhur siç parashikojnë ligjet e reformës në drejtësi dhe Kushtetua. Në këtë rast, termi shkelje ligjore është pak. Ajo që ka ndërmend të bëjë qeveria “Rama” me anë të Këshillit të Lartë Gjyqësor është rrëzim i gjithë reformës dhe kthimi i kësaj gjykate në aneks të qeverisë. Sepse delegimi është koncept që nuk ka lidhje me drejtësinë. Detyrat delegohen në politikë, por jo në gjykatën më të rëndësishme në vend.

Fatkeqësisht këtë shkelje ligjore e kanë miratuar dhe ndërkombëtarët dhe e quajnë zhvillim normal. EURALIUS, misioni që jep rekomandime për reformën e ka përkrahur skemën e delegimit të gjyqtarëve, një term se kanë as gjykatat e ulëta në vendet të botës së tretë dhe jo më Gjykata e Lartë që duhet të ngrihej sipas ligjit. Për të kuptuar qytetarët se çfarë do të thotë kjo që kanë ndër mend të bëjnë më Gjykatën e Lartë me delegim gjyqtarësh, mjafton të sjellim në vëmendje procedurat që u ndoqën për Prokuroren e Përgjithshme.

Për shkak se Parlamenti që ka shumicën e PS nuk kishte zbatuar ligjet e reformës dhe Prokurorit të Përgjithshëm i mbaroi mandati, Edi Rama me anë të Ulsi Manjës, propozoi që prokurori i ri të zgjidhej përkohësisht me shumicë të thjeshtë, sa të miratoheshin gjithë aktet ligjore. Ky ishte karremi që Rama përdori ndaj ndërkombëtarëve duke thënë se prokurori i ri do qëndronte maksimumi tre muaj dhe pa kompetenca të plota në detyrë. PS zgjodhi me 69 vota Arta Marku nga 84 vota që përcakton kushtetuta duke marrë dhe miratimin e ndërkombëtarëve.

Sot kanë kaluar dy vjet nga ky vendim dhe Arta Marku vijon të jetë Prokurore e Përgjithshme  e Përkohshme, pa kaluar në filtrat e reformës në drejtësi dhe me kompetenca të plota në detyrë. Prokurori që sipas reformës në drejtësi duhej zgjedhur me standarde të tjera ligjore duket ende shumë larg, sot ndërkombëtarët janë bindur se Prokurorja e Përgjithshme nuk është më e përkohshme dhe as e paanshme, por nuk kanë ndërmend të flasin.

E njëjta skemë po vihet në zbatim dhe me Gjykatën e Lartë e ku ka mundësi delegimi të përdoret më pas dhe në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë mënyrë nuk ka më reformë, por një drejtësi që po kalon e gjithë në duart e Ramës dhe çuditërisht me heshtjen e ndërkombëtarëve. Po si funksion skema derisa arrrin dhe merr mbështetjen e ndërkombëtarëve? Propozimet për reformën jepen nga grupi i ekspertëve të cilët janë pjesë e shoqatave të shoqërisë që njihen si mbështetës të Edi Ramës. Pra, juristët e Edi Ramës marrin udhëzimet sesi duhet bërë reforma dhe më pas ua kalojnë si mendime të “pavarura” ekspertëve të huaj të EURALIUS.

Këta, të fundit që duket se nuk kuptojnë sesi funksionojnë ekspertët në Shqipëri, u fusin një të përkthyer dhe i dërgojnë në emër të tyre te Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe institucionet e tjera, si qëndrime të ndërkombëtarëve.  Në fund Edi Rama del dhe thotë se “unë nuk kam asgjë në dorë, kështu e duan ndërkombëtarët”. Është një skemë që nis nga zyrat e Ramës dhe në fund vjen te Rama si qëndrim ekspertësh ndërkombëtarë. Kështu e zgjodhi dhe Ulsi Manja Prokuroren e Përgjithshme, me një letër pa firmë dhe vulë nga ekspertët e huaj që thoshin të njëjtën gjë që kish thënë Edi Rama.

Në këtë histori, ndërkombëtarët ose janë të manipuluar, ose u ka ardhur në maj të hundës që ende pas tre vjetësh nuk kanë asnjë produkt nga reforma dhe po mbyllin sytë. Në të dyja rastet, qëndrimi i tyre në vend të sjellë një reformë të paanshme po i dorëzon Edi Ramës kontrollin mbi sistemin e drejtësisë duke e zhbërë gjithë reformën në drejtësi. Shqipërisë nuk i duhet një reformë e manipuluar nga qeveria dhe as një reformë që duhet bërë vetëm që ndërkombëtarët të mos pranojnë se gabuan që ia besuan gjithçka ekspertëve të Ramës.

Vendit i duhet një reformë që mbi të gjitha funksionon e pavarur. Deri më sot kjo gjë nuk është garantuar. Pas Prokurorisë qeveria po fut duart te Gjykata e Lartë, e cila nuk ka vetëm dosje qytetarësh, por edhe proceset ministrave dhe ish-ministrave të qeverisë.

Mili Xhani

Gjykata larte