Kryetari i Degës së PD: Elbasani i tha jo diktaturës!

Përmes një deklarate për mediat, kreu i PD, Elbasan, Eugen Isai falenderon qytetarët, për atë që e quan braktisje masive të votimeve. Sipas tij me këtë veprim, elbasanasit i thanë jo diktaturëS.

Deklarata e plotë

Para se gjithash desha t`iu përcjell në emrin tim dhe Partisë Demokratike, falënderimet për braktisjen masive që u bëtë zgjedhjeve të 30 qershorit e cila do të fiksohet si një nga ditët më të zeza të demokracisë ku u tentua që të kthehet diktatura.

Me qëndrimin tuaj qytetar dhe dinjitoz ju ndëshkuat rëndë marrëzinë e Edi Ramës për ta kthyer këtë vend në një regjim totalitar dhe të izoluar nga bota. Me vendimin tuaj, ju e turpëruat atë dhe e nxorët lakuriq duke e diskretituar jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit.

Me gjithë terrorin e ushtruar, presionet ndaj administratës, arsimtarëve, mjekëve, nëpunësve të çdo natyre dhe të afërmve të tyre, Partia Socialiste mori minimumin historik të votave në Elbasan edhe pse komisionet ishin të tyre, edhe pse manipuluan pafund me fletët dhe kutitë e votimit.

Votimi i djeshëm monist i Edi Ramës ishte një maskaradë që nuk njeh kufij. Një eksperiment i rrezikshëm që e dërgon vendin në katastrofë. Por siç e patë atij i thanë jo edhe vetë socialistët të cilët gjej rastin ti falënderoj sepse më në fund e kuptuan se cili është lideri i tyre i disekujlibruar.

Të dashur qytetarë,

Me vendimin e djeshëm ju i thatë jo diktaturës, jo varfërisë, jo nënshtrimit. I thatë po demokracisë dhe prosperitetit. Tashmë është e qartë. Askush nuk e do më Edi Ramën dhe shpurën e tij. Sepse të gjithë ne pa dallim e provuam se ai mendon vetëm për veten dhe grushtin kriminal që e mbështet.

Tashmë është koha të mendojmë për të ardhmen tonë, duke u bashkuar më fort me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj progresistë për tu bërë pjesë e familjes Evropiane.

Rezultati i djeshëm i votimeve e ka rritur më shumë besimin në fitore dhe uraganit popullor do t’i bashkohen më shumë njerëz për ta dëbuar njëherë e mirë farën e keqe neokomuniste.