Kosova-Ramës: Hiqeni plaçkën 10 euro të Rrugës së Kombit

Shqipëria dhe Kosova po vazhdojnë të kenë raporte të acaruara tregtare. Taksa prej 10 eurove që ka vendosur Shqipëria në “Rrugën e Kombit” po cilësohet si plaçkë për qytetarët e Kosovës. Ndaj kësaj takse gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe një deputeti i Kuvendit të Kosovës. Ditë më parë edhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka paralajmëruar se Kosova mund të vë taksë edhe ndaj Shqipërisë.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, që është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës ka kritikuar Shqipërinë se qytetarët e Kosovës për vajtje-ardhje duhet të paguajnë dhjetë euro taksë, që është më shumë se karburanti. E kjo sipas tij, edhe pse Rruga e Kombit nuk është e përfunduar.

“Lajm i mirë që është rritur importi i mallrave shqiptare, veç as Shqipëria e as Ambasadori nuk duhet të harrojnë se për më pak se 80 km autostradë të papërfunduar, në atë që njihet si Rruga e Kombit, qytetarët e Kosovës, vajtje-ardhje, paguajnë dhjetë euro taksë, që është më shumë se sa karburanti që e harxhojnë” shkroi ai ne Facebook.

Nitaj gjithashtu ka thënë se Kosova, këtë taksë e sheh si plaçkë. E madje ka kërcënuar, se nëse Kosova vendos taksën atëherë nuk dihet se si do të përfundojë.
“Kjo taksë në Kosovë po shihet si plaçkë, dhe është mirë të rikonsiderohet, sepse nëse edhe Kosova fillon të vë taksa, nuk i dihet se ku del hesapi!”

Këtë reagim deputeti i Kuvendit të Kosovës e ka bërë pas një deklaratë që ka dhënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i ciki ka thënë se volumi i shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës është në rritje.

Minxhozi tha se për gjashtëmujorin e parë të këtij viti Shqipëria ka eksportuar 106 milionë euro mallra në Kosovë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritje prej 30 për qind.
Edhe Kosova ka rritur eksportet në Shqipëri me 10 për qind pasi për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka eksportuar drejt shtetit amë mallra në vlerë prej 31 milionë euro.

“E thënë në shifra reale Shqipëria ka eksportuar 106 milionë euro mallra dhe Kosova ka eksportuar 31 milionë euro mallra. E krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar del që Shqipëria ka eksportuar 30 për qind më tepër dhe Kosova 10% më tepër. Këto janë të dhëna zyrtare dhe nuk janë të dhëna nga apetite të ndryshme….Unë po marr totalin e volumit të shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës, kjo është më e saktë.

Nuk ka rëndësi a janë 800, a janë 700, a janë 600 sepse mund të ketë nga ato për shembull që janë edhe fiktive që nuk kanë bërë një aktivitet në Kosovë para 10 vjetësh dhe sot nuk ekzistojnë në letra quhen organizma ekonomikë që funksionojnë ose e njëjta gjë me ato nga Kosova në Shqipëri, nuk do të hyj në lojën e shifrave të kompanive që janë por do të them që tendenca është në rritje, kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi Minxhozi në mediat e Kosovës.

“Monitor”